Financial Times: Serbia fiton rreth 800 milionë euro nga shitja e armatimeve për Ukrainën

Serbia është një nga dy vendet e vetme evropiane që nuk i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë por në mënyrë të fshetë ka rritur shitjet e municioneve drejt perëndimit, të cilat më pas përfundojnë duke forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Sipas “Financial Times” eksportet e municioneve të Serbisë që kanë shkuar në Ukrainë nëpërmjet palëve të treta shkojnë në rreth 800 milionë euro, një shumë që presidenti Aleksandër Vuçiç tregoi se ishte gjerësisht e saktë, që nga nisja e pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në 2022. Ai e paraqiti situatën si një mundësi biznesi, duke këmbëngulur se ai nuk do të mbante asnjë anë në luftë.

“Kjo është një pjesë e ringjalljes sonë ekonomike dhe e rëndësishme për ne. Po, ne e eksportojmë municionin tonë”, tha ai në një intervistë. “Ne nuk mund të eksportojmë në Ukrainë apo në Rusi…por ne kemi pasur shumë kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë e të tjerë. Ajo që ata bëjnë me këtë në fund është puna e tyre”.

“Edhe nëse e di [ku përfundon municioni], kjo nuk është puna ime. Detyra ime është të siguroj faktin që ne merremi legalisht me municionet tona, që ne t’i shesim ato…Unë duhet të kujdesem për njerëzit e mi, dhe kaq. Kjo është gjithçka që mund të them. Ne kemi miq në Kiev dhe në Moskë. Këta janë vëllezërit tanë sllavë”.

I pyetur nëse shifra prej 800 milionë euro ishte “e saktë”, ai tha jo gjatë një viti, por “ndoshta pas dy apo tre vjetësh, ashtu diçka”.

Serbia nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e BE-së, dhe populli i saj prej kohësh ka pasur një lidhje të afërta me Rusinë, ndërkohë që është inatosur me perëndimin pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi vendin e tyre në vitin 1999. Beogradi gjithashtu mbështet Moskën që të bllokojë njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e cila njihet nga shumica e shteteve perëndimore, por është bllokuar nga anëtarësimi në OKB nga Rusia dhe Kina.

Vuçiç i ka rezistuar presionit perëndimor për të miratuar regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka lejuar që fluturimet ruse të vazhdojnë, edhe pse ai thotë se është i përkushtuar që vendi i tij të bëhet anëtar i BE-së. Ai gjithashtu ka kërkuar të mbrojë bastet e tij dhe të mbajë një distancë midis tij dhe presidentit rus Vladimir Putin.

“Evropa dhe ShBA-ja kanë punuar me vite për të distancuar Vuçiç nga Putini”, tha një diplomat perëndimor, duke shtuar se një lojtar vendimtar ishte ambasadori i SHBA-së Christopher Hill, i cili mbërriti në Beograd një muaj pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

“Të gjithë prisnin që [Hill] të luftonte me Vuçiç, por agjenda e tij e vetme ka qenë distancimi i Beogradit nga Moska”, tha diplomati. “Ai ia ka dalë. Vuçiç nuk e ka takuar, madje as nuk e ka telefonuar Putinin prej vitesh. Dhe sigurisht që është çështja e dërgesave të armëve që përfundojnë në Ukrainë”.

Për perëndimin, kërkimi i mbështetjes për Ukrainën është bërë më i rëndësishëm sesa shtytja e liderit nacionalist të Serbisë për reforma demokratike, thanë analistët.

“Vuçiç e fsheh nën qilim se ka mbështetje, ndonëse jo drejtpërdrejt për Ukrainën”, tha Ivan Vejvoda, një bashkëpunëtor në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë. “Ai flet në mënyrë të paqartë. Është e qartë se ai nuk dëshiron ta pranojë këtë – ai dëshiron të mbajë të lumtur të djathtën e tij ekstreme – ndërsa në fakt Serbia i ka [ofruar] ndihmë masive Ukrainës kundër Rusisë”.

Serbia kishte një industri të zhvillimit të armëve gjatë Luftës së Ftohtë, kur ishte pjesë e Jugosllavisë, dhe është një prodhues i kalibrave të municioneve të standardit sovjetik që ende përdoret gjerësisht në forcat e armatosura të Ukrainës. Ajo po i bashkohet gjithashtu një tendence globale për të rritur shitjet e armëve në një kohë kur Rusia ka nisur një ekonomi lufte që ka rritur prodhimin më shpejt se aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Vuçiç tha se Serbia ka një mundësi të artë pasi armët e saj ishin më të lira se në perëndim, duke shtuar se shkalla e eksportit të përgjithshëm të municioneve të Serbisë mund të rritet.

“Rusët bënë një punë të madhe për rinovimin dhe ringjalljen e prodhimit të tyre të armatimit. Ata e bëjnë atë me shpejtësi, por kur duhet të fitosh ekonomikisht, atëherë nuk është e lehtë”, tha ai.

“Në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani, nuk mund të thuash tani se do të prodhosh një tank tjetër pa fituar para… Dhe ne jemi mirë sepse njerëzit tani e shohin [që jemi më të lirë]”.

Pjesëmarrja e Serbisë në fluksin e municioneve në Ukrainë është mjaft e fshehur sa të dhënat zyrtare nuk e pasqyrojnë atë, sipas diplomatëve dhe analistëve. Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, i cili monitoron mbështetjen për Ukrainën, nuk ka gjurmuar drejtpërdrejt aktivitetet serbe dhe nuk ka hasur në prova sistematike të kontributeve serbe, tha Christoph Trebesch, i cili kryeson nismën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com