Festat e fundvitit, Spiropali mesazh: Jemi drejt fundit të një viti plot lajme të mira për Shqipërinë!

Me rastin e festës së Vitit të Ri, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh për gjithë qytetarët shqiptarë, teksa ka bërë bilancin e vitit 2024.

Kryeparlamentarja foli për sfidat që ka hasur Kuvendi, ku tha se gjatë dy sesioneve parlamentare ka pasur mjaft situata konfliktuale të vështira, ndërsa ndalet te progresi i Shqipërisë dhe anëtarësimit në BE.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Po arrijmë në fund të një viti, i cili kishte për Shqipërinë plot sfida, por edhe lajme të mira.

Gjatë dy sesioneve parlamentare, të gjashtë dhe të shtatë, kaluam mjaft situata konfliktuale e të vështira, por për fat të mirë, mirëkuptimi midis maxhorancës dhe opozitës hapi rrugën për një proces normal e produktiv parlamentar.

Secili prej nesh në sallën e Kuvendit, ka bindjet e veta dhe le t’i ruajë ato, por secili ka edhe përgjegjësitë e veta para Republikës dhe qytetarëve dhe duhet t’i ushtrojë ato.

Më i bukuri lajm i këtij viti ishte ecja jonë e pandalshme drejt familjes europiane, çka u konfirmua nga mbajtja e dy konferencave ndërqeveritare në tetor dhe dhjetor, dhe çelja e negociatave për grup-kapitullin 1-Themelorët, dhe 6-Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.

Shqipëria është sot vendi kandidat që ecën më shpejt drejt familjes europiane.

Kuvendi do të vijojë të udhëheqë me vizion e vendosmëri këtë proces, duke e bërë atë sa më legjitim, demokratik e gjithëpërfshirës.

Gjatë vitit të kaluar zhvilluam 45 seanca plenare, ndër të cilat 42 të zakonshme, dy të posaçme dhe një sesion të jashtëzakonshëm.

Miratuam 129 akte ligjore, ndër të cilat 25 akte parësore, 45 akte ndryshuese, 52 marrëveshje dhe 7 akte normative.

Miratuam ligje që mbështesin sektorë të rëndësishëm të zhvillimit të vendit, fushat e ekonomisë, drejtësisë, sigurisë, mbrojtjes e sigurisë kibernetike, arsimit, shkencës, mbrojtjes shoqërore, shëndetësisë, kulturës, zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit etj.

Pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për motrat e vëllezërit tanë në Diasporë krijuam mundësinë që në zgjedhjet parlamentare të votojnë nga vendet ku jetojnë.

Me miratimin e ligjit më të rëndësishëm të vitit, për buxhetin e shtetit të vitit 2025, bëmë më të mirën për t’i dhënë vendit një buxhet që mbështet zhvillimin, mirëqenien dhe një shoqëri më të drejtë, më solidare.

Gjatë këtij viti ngritëm dy komisione hetimore, të cilët i paraqitën Kuvendit raportet përkatëse.

Ngritëm gjithashtu dy komisione të posaçme, të cilët do të vijojnë punën edhe gjatë vitit që vjen, me qëllim thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit, antikorrupsionin, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, dhe për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.

Me drejtuesit e institucioneve të pavarura, rektorët e universiteteve dhe shoqërinë civile diskutuam përgjegjësitë e përbashkëta për avancimin e reformave, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe rritjen e transparencës.

Zhvilluam një diplomaci parlamentare intensive, forcuam partneritetin dhe mbështetjen parlamentare për anëtarësimin në Bashkimin Europian nga Parlamenti Europian, Dhoma e Deputetëve dhe Senati i Italisë, Parlamenti i Francës, Bundestagu Gjerman, Parlamenti i Polonisë, i Republikës Çeke dhe mjaft parlamente të tjera të vendeve anëtare.

Me Kuvendin e Kosovës vijuam bashkëpunimin për koordinimin e agjendës kombëtare, mbështetjen e integrimeve euro-atlantike të Kosovës dhe rritjen e rolit të shteteve tona në integrimet rajonale. Këtij qëllimi i shërbeu edhe organizimi i mbledhjes së përbashkët të të dy Kuvendeve, në 20 dhjetor, në Prishtinë.

Me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut po bashkëpunojmë për mbrojtjen e të drejtave të pakthyeshme të shqiptarëve në këtë vend fqinj e mik dhe nxitjen e rolit të faktorit shqiptar në procesin e integrimti europian, zhvillimin dhe demokratizimin e vendit.

Deri në mbyllje të kësaj legjislature dhe gjatë vitit që vjen, thirrja ime është që mirëkuptimi mes palëve në Kuvend të jetë një proces i vijueshëm dhe i përhershëm, çka do të rriste përgjegjshmërinë, produktiviteitn, transparencën dhe llogaridhënien e Kuvendit para publikut dhe qytetarëve.

Të dashura motra e vëllezër,

Në mbyllje të viti 2024 shpreh urimet më të mira për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, këtu dhe në Diasporë;

Uroj më të mirën për fëmijët tanë, që të rritën të shëndetshëm, më përkujdesje dhe shkollim cilësor;

Për mësueset e mësuesit e përkushtuar ndaj misionit të tyre si edukatorë;

Për studentet e studentët, pedagoget e pedagogët e universiteteve tona në betejat për dijen;

Për mjeket, mjekët dhe infermjeret e infermjerët e palodhur në shërbim të shëndetit;

Për fermerët dhe të gjithë punonjësit e bujqësisë;

Për punëtoret e punëtorët që me djersën e tyre mbajnë familjet dhe ndryshojnë Shqipërinë;

Për punonjëset dhe punonjësit e administratës shtetërore, shërbimi dhe pasioni i të cilëve është aset i Shqipërisë europiane;

Për sipërmarrësit në sektorin privat, motorin e ekonomisë shqiptare.

Një urim të veçantë për të gjitha gratë dhe burrat e shërbimeve jetike për popullsinë, që edhe në këto ditë punojnë për t’u shërbyer qytetarëve që festojnë.

Të gjithëve u uroj nga thellësia e zemrës: Gëzuar, shëndet e mbarësi në familjet tuaja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com