“Festa e Pranverës është pushimi më i rëndësishëm gjatë tërë vitit në Kinë dhe kjo periudhë kur kinezët harxhojnë shumë para, do të bëhet një ‘termometër’ kryesor për ekonominë kineze,” thuhet lidhur me Festën e Pranverës në uebsajtin e gazetës spanjolle “El Mundo”. “Atëherë, çfarë ‘temperature’ po ndihet nga bota lidhur me ekonominë kineze?” pyetet në një artikull të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
Në përgjigje, thuhet se u realizuan 474 milionë udhëtime turistike, me shpenzime të përgjithshme të turistëve kinezë prej 632 miliardë e 687 milionë juanësh (afro 88 miliardë dollarë amerikanë), përkatësisht 34.3 dhe 47.3 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Numri i udhëtarëve kinezë e të huaj që hynë dhe dolën nga Kina arriti në 13 milionë e 170 mijë, mesatarisht 1.69 milionë në ditë, duke u shtuar 2.8 herë krahasuar me pushimet e Festës së Pranverës të vitit të kaluar. Ndërkohë, të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave gjatë tetë ditëve të pushimeve i kaluan tetë miliardë juanët (afro 1.1 miliard dollarë amerikanë), duke shënuar rekord për periudhën e Festës së Pranverës. “Vala e nxehtë” e tregut të konsumit në Kinë gjatë Festës së Pranverës shënon një fillim të mirë për ekonominë e Vitit të Loong-ut.
Festa e Pranverës e këtij viti është e para Festë Pranvere që kinezët kalojnë në mënyrë normale pas epidemisë së COVID-19.
Në mbledhjen qendrore mbi ekonominë kineze në fund të vitit të kaluar, u vu në dukje që duhet të nxitet konsumi për t’u zhvendosur nga rimëkëmbja pas epidemisë në zgjerimin e vazhdueshëm. Ministria e Tregtisë e Kinës e ka përcaktuar 2024-n si Vitin e Nxitjes së Konsumit dhe do të organizojë një sërë aktivitetesh në këtë drejtim. Falë politikave të favorshme, potenciali i konsumit në Kinë është çliruar pandërprerë dhe struktura e konsumit është përshkallëzuar vazhdimisht. “Turistët kinezë ‘hodhën para’ në Vitin e Loong-ut”, “Është frymëzuese rimëkëmbja gjatë Festës së Pranverës të Vitit të Loong-ut”…njoftuan disa media të huaja, duke shprehur mendimin se kjo është një nxitje edhe për ekonominë botërore, thuhet në artikullin e CMG-së.
Në saje të masave për lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimit të tregtisë elektronike ndërkufitare, në tryezat e familjeve kineze gjatë Festës së Pranverës u mblodhën ushqime nga vende të ndryshme. Qershia e Kilit u bë fruta e importuar më e parapëlqyer, ndërkohë që edhe salmoni i Norvegjisë, karkaleci i Ekuadorit dhe vera franceze kanë tërhequr një masë të madhe të konsumatorëve kinezë.
Festa e Pranverës e sivjetshme u përfshi për herë të parë në pushimet e OKB-së. Një e pesta e popullsisë së botës kremtuan Vitin e Ri të kalendarit bujqësor kinez në mënyra të ndryshme. Falë politikës së heqjes reciproke të vizave, lehtësimit të zhdoganimit dhe rifillimit të linjave ajrore, është rimëkëmbur edhe turizmi ndërkufitar. Një kontingjent i madh turistësh dolën jashtë, duke i çuar lajmin e mirë sektorit turistik të vendeve përkatëse.
Duke u marrë si shembull Singapori, Malajzia dhe Tajlanda, tre vendet e fundit që hoqën vizat për kinezët, në artikullin e CMG-së thuhet se gjatë Festës së Pranverës, rezervimi i biletave të aeroplanëve për në Singapor u shtua 29 herë në krahasim me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, për në Kuala-Lumpur të Malajzisë 20 herë, ndërsa për në Bangkok të Tajlandës 16 herë. Sipas të dhënave statistikore, gjatë Festës së Pranverës të këtij viti turistët kinezë “lanë gjurmët” e tyre në mbi 1700 qytete të mbarë globit.
Nga “vala e nxehtë” e konsumit gjatë Festës së Pranverës, bota shikon epërsinë e tregut super të madh kinez dhe “ndien temperaturën” e ekonomisë kineze. Në fund të janarit, FMN-ja e ngriti parashikimin për rritjen e ekonomisë kineze me 0.4 pikë përqindjeje, duke e çuar në 4.6 për qind. Ndërkohë, sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Instituti për Studime Ekonomike i Gjermanisë, ndërmarrjet gjermane po planifikojnë të investojnë më shumë në Kinë, duke përballuar rreziqet nga tensionet tregtare globale.