Favorizoi djalin e Tom Doshit pas aksidentit, pezullohet Shefi i Qarkullimit në Lezhë

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula, është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, ndërsa edhe struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është vënë në hetim nga prokuroria. Vendimi është marrë nga Gjykata e Lezhës me kërkesë të prokurorit Sabri Kastrati, e cila ka nisur hetimet në lidhje me një aksident të ndodhur pak javë më parë në superstran Lezhë-Laç, pranë fshatit Gajush, ku sipas burimeve është përfshirë në aksident djali i ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi.

Teksa po lëvizte me makinë, ai ka përplasur një automjet ku lëviznin një çift bashkëshortësh. Nga hetimet ka rezultuar se djali i Doshit ka qenë fajtor, por është favorizuar nga policia, e cila nuk ka kryer veprimet konform ligjit, duke e lejuar që të marrë automjetin dhe të largohet. Në lidhje me këtë çështje organi i akuzës është vënë në lëvizje, duke regjistruar procedim penal për “shpërdorim detyre”.

Krahas shefit të Qarkullimit Rrugor Ismet Sula, i cili u pezullua nga detyra, prokuroria po heton edhe drejtuesit e policisë Lezhë për të parë nga kush është dhënë urdhri për të mos kryer veprimet konform ligjit.

Në funksion të këtij hetimi, organi i akuzës pritet të zbardh tabulatet telefonike mes drejtuesve dhe oficerëve të policisë për të zbardhur rolin dhe veprimet e tyre për këtë çështje, e më pas do të vendoset nëse çështja do ti kalojë për kompetencë SPAK, apo do të mbetet në Lezhë.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com