Dënimi i Donald Trump në gjyqin e tij penal në Manhattan është shtyrë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Vendimi i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë të Manhatanit, Juan Merchan, që shtyn dënimin e 18 shtatorit deri më 26 nëntor, do të thotë se votuesit nuk do ta dinë deri në ditën e zgjedhjeve fatin e ish-presidentit, i cili përballet me burgim të mundshëm në këtë rast.
Avokatët e Trump, kandidatit republikan për president, kanë përdorur disa manovra ligjore për të shtyrë dënimin, i cili ishte planifikuar për në 18 shtator.
Trump, 78 vjeç, mund të përballet me katër vjet burgim pasi u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit – por ekspertët ligjorë thonë se ai ka më shumë gjasa të marrë shërbim prove ose shërbim në komunitet.
Ish-Presidenti Trump u gjend fajtor në muajin maj për 34 akuza penale në lidhje me falsifikim të të dhënave të biznesit, për të fshehur pagesat prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, marrëdhënia me të cilën mund të dëmtonte kandidimin e tij në zgjedhjet e vitit 2016.
Ish-Presidenti Trump ka mohuar pretendimin e saj për një marrëdhënie mes tyre dhe ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë shkelje.
Falsifikimi i të dhënave të biznesit dënohet me deri në katër vite burgim. Dënimet e tjera të mundshme variojnë që nga dënimi me kusht dhe deri në gjobitje.