Mirëqenia e shqiptarëve është më e ulëta në rajon edhe pse ekonomia jonë tregojnë shifrat zyrtare ka një rritje më të madhe se vendet e tjera. Publikimi i fundit i Eurostat tregon se Shqipëria vijon të mbetet e fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse. Ndërkohë që Shqipëria ka bërë shumë pak për të mbrojtur rënien e fuqisë blerëse, nga rritja e çmimeve, përmes ndoshta politikave të gabuara fiskale që shpesh shkojnë në favor të shtresave të favorizuara politikisht dhe ekonomikisht, duke e lënë pjesën tjetër të popullatës në varësinë dhe mëshirën e tyre. Çka shpjegon në fund të fundit edhe fluksin e emigracionit masiv.
Gjë që dëshmon se Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë dhe në rajonin e Ballkanit.
Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnje-Hercegovina me 35%, ndërsa të dhëna për Kosovën nuk raportohen.
Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.
Vendet e Bashkimit Europian, me nivelin më të lartë të konsumit individual, janë Luksemburgu, Norvegjia, Austri dhe Gjermania, ndërsa më të ulet se mesatarja e BE, e kanë bullgari, Hungari dhe Kroaci.
Fuqia blerëse e qytetarëve
Mesatarja e BE 100%
Mali i Zi 50%
Serbi 44%
Maqedonia e Veriut 42%
Bosnje-Hercegovina 35%
Shqipëri 34%