Europa në rrezik: Keni 72 orë të pajiseni me ushqimet bazë

Bashkimi Evropian u ka kërkuar qytetarëve të saj të grumbullojnë mjaftueshëm ushqime dhe furnizime të tjera jetike për t’i mbajtur ata të sigurt për të paktën 72 orë, nëse ndodh kriza e luftës. Ky paralajmërim është bërë nga Komisioni Evropian.

“Në rast të ndërprerjeve ekstreme, periudha fillestare është më kritike”, thotë dokumenti, duke përcaktuar skenarë të mundshëm, nga lufta te sulmet kibernetike dhe sëmundjet vdekjeprurëse deri te përmbytjet e shkaktuara nga klima, raporton Politico, përcjell A2 CNN.

Në një udhëzim të ri, Komisioni Europian theksoi nevojën që Evropa të ndryshojë mentalitetin e saj, për të nxitur një kulturë të “gatishmërisë” dhe “rezistencës”.

Europa duhet të marrë të gjitha mjetet për t’u mbrojtur kundër agresionit ushtarak, tha të martën presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, duke shtuar se paqja pa mbrojtje është një iluzion. “Nëse Rusia konsideron se kufijtë e Ukrainës janë vetëm një vijë në hartë, pse duhet të respektojë kufijtë e ndonjë vendi tjetër?”, tha ai në një konferencë të Qendrës së Politikave Evropiane në Bruksel, transmeton A2 CNN.

Brukseli dëshiron të sigurojë që çdo qytetar të jetë i pajisur për 72 orë vetë-mjaftueshmëri pasi frika rritet mbi kërcënimin e konfliktit kontinental. Qytetarët e BE-së do të udhëzohen të grumbullojnë një duzinë artikujsh kyç si pjesë e kompletit të tyre të “rezistencës”. Këto përfshijnë shkrepëse, dokumente identiteti të ruajtura në një qese të papërshkueshme nga uji, ujë në shishe, shufra energjie dhe një elektrik dore.

Sipas CNN, dokumenti prej 18 faqesh paralajmëron se Evropa po përballet me një realitet të ri me rrezik dhe pasiguri, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë, rritjen e tensioneve gjeopolitike, sabotimin e infrastrukturës kritike dhe luftën elektronike si faktorë kyç, shkruan A2 CNN.

“Asnjë nga krizat e mëdha të viteve të kaluara nuk ishte e izoluar apo jetëshkurtër”, thuhet në dokument. “Evropa nuk mund të përballojë të qëndrojë reaktive.”

“Realitetet e reja kërkojnë një nivel të ri gatishmërie në Evropë”, tha në një deklaratë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Qytetarët tanë, shtetet tona anëtare dhe bizneset tona kanë nevojë për mjetet e duhura për të vepruar si për të parandaluar krizat ashtu edhe për të reaguar me shpejtësi kur godet një fatkeqësi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com