Erdogan paralajmëron: Damasku do të jetë objektivi i radhës së rebelëve!

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se forcat proturke që kundërshtojnë presidentin sirian Bashar Al Assad synojnë të arrijnë në Damask.

“Pas Idlibit, Hamës dhe Homsit padyshim që objektivi do të jetë Damasku. Vazhdon marshimi i forcave opozitare. Shpresojmë që ky avancim në Siri do të vazhdojë pa incidente apo probleme”, tha Erdogan, duke folur me gazetarët pas lutjeve të së premtes në një xhami në Stamboll.

Presidenti turk njoftoi se i kishte bërë thirrje homologut sirian Bashar al Asad për të përcaktuar së bashku të ardhmen e Sirisë, por nuk mori përgjigje pozitive.

“Ndërsa rezistenca kundër organizatave terroriste vazhdonte, ne i bëmë thirrje Asadit. Ne thamë, le të përcaktojmë së bashku të ardhmen e Sirisë. Megjithatë, nuk morëm përgjigje pozitive”.

Në një intervistë për mediat amerikane, udhëheqësi i rebelëve Abu Mohammad bëri të ditur se forcat e huaja si Rusia, Irani apo edhe SHBA, duhet të largohen nga vendi.

Ndërkohë kryengritësit islamikë kanë pushtuar qytetin sirian të Hamës në një betejë për të kapur një vendndodhje jetike në rrugën për në Damask, duke shënuar sfidën e fundit kundër Bashar al-Assad.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com