EMRI/ Vrau policin në vitin 1997, Apeli lë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-punonjësin e SHIK

Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-punonjësin e SHIK, Hektor Voci, i cili më 10 shkurt të 1997, ka vrarë me armën e shërbimit një punonjës policia.

Voci ka qenë duke udhëtuar për arsye pune, në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, me kamion tip Benz si pasagjer dhe makina po drejtohej nga shtetasi me iniciale B. Xh, punonjës i SHIK.

Ky i fundit ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke vënë në rrezik automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C, punonjës policie pranë Komisariatit Nr. 4, në Tiranë.

Punonjësi i policisë i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë.

Ai ka dalë nga automjeti i tij dhe është afruar duke mbajtur në dorë armën e shërbimit tek kaminoni ku ndodhej i pandehuri.

Ky i fundit e ka qëlluar me automatikun e shërbimit duke e vrarë.

Njoftimi:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në datë 10.02.1997, shtetasi me iniciale H. V, punonjës i SHIK, ka qenë duke udhëtuar për arsye pune, në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, me kamion tip Benz si pasagjer dhe makina po drejtohej nga shtetasi me iniciale B. Xh, punonjës i SHIK. Ky i fundit ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke vënë në rrezik automjetin që drejtohej nga shtetasi A. C, punonjës policie pranë Komisariatit Nr. 4, në Tiranë. Punonjësi i policisë, shtetasi me iniciale A. C i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë. Ai ka dalë nga automjeti i tij dhe është afruar duke mbajtur në dorë armën e shërbimit tek kaminoni ku ndodhej i pandehuri. Ky i fundit e ka qëlluar me automatikun e shërbimit duke e vrarë.

  1. Po në datë 10.02.1997, i pandehuri H. V është arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr. 546 Akti, datë 12.02.1997, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, duke u siguruar i pandehuri në repartin 313 Tiranë.
  2. Me vendimin e datës 24.02.1997 të pandehurit H. V i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim me shtetasin B. Xh parashikuar nga neni 76-22 të Kodit Penal.

iii. Me vendimin datë 26.02.1997 është vendosur pushimi i akuzës ndaj shtetasit B. Xh. Më datë 13.03.1997 i pandehuri H. V i paraburgosur pranë Burgut të Tiranës është larguar nga ky institucion së bashku me të burgosurit e tjerë për shkak të shpërthimit të burgjeve në Shqipëri.

  1. Më datë 05.06.1997, është vendosur pushimi i çështjes penale nga Prokuroria e Rrethit Tiranë ndaj të pandehurit H. V, me arsyetimin se vepra ka ndodhur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
  2. Me vendimin Nr. 34, datë 31.03.1998, Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur anulimin e vendimit të pushimit të çështjes penale të vitit 1997 dhe rifillimin e hetimeve për këtë çështje penale, në ngarkim të të pandehurit H.V. Në vijim, kjo çështje ka kaluar për gjykim.
  • Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin Nr. 35 Akti, datë 23.05.2000 ka vendosur:

-Të deklarojë fajtor të pandehurin H. V për veprën penale “Vrasjes me dashje”, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, parashikuar nga neni 79/1 germa “c” të Kodit Penal, të dënohet me burgim të përjetshëm.

-Vuajtja e dënimit t’i fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.

Ndaj këtij vendimi ka ushtruar ankim i pandehuri me iniciale H. V, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes, pasi nuk vërtetohet fajësia.

  • Me vendimin Nr. 530, datë 06.12.2000, Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur:

-Mospranimin e ankimit kundër vendimit penal Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Krujë.

Në zbatim të vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është bërë arrestimi i të pandehurit me iniciale H. V dhe ekstradimi i tij nga shteti anglez.

  • Mbi bazën e kërkesës për “Rivendosje në afat” të të dënuarit H. V, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin Nr. 91 Akti, datë 22.06.2015 ka vendosur:

-Rivendosjen në afat të palës kërkuese H. V, për të bërë ankim kundër vendimin Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

I pandehuri H. V ka paraqitur ankim, kundër vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm të tij.

Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë pasi shqyrtoi ankimin nga i pandehuri H. V, me vendimin nr. 152 , datë 10.02.2017 vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë me këtë plotësim:

Vuajtja e dënimit të bëhet në burg të sigurisë së lartë”.

Ndaj vendimit të lartpërmendur, ka paraqitur rekurs i pandehuri H. V, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vendimit Nr. 152, datë 10.02.2017 të Gjykatës së Apelit Tiranë, si dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.

  • Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin Nr. 317, datë 24.11.2022 ka vendosur:

-Prishjen e vendimit Nr. 152, datë 10.02.2017 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit Nr. 35, datë 23.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, me tjetër trup gjykues.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale H. V, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, parashikuar nga neni 79/1 germa “c” të Kodit Penal.

  • Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin Nr. 2649, datë 08.11.2023 ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit H. V, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) vite burgim.

-Dënimi i mbetur të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit Nr. 2649, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, duke vendosur ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale të kryer nga i pandehuri me iniciale H. V nga “Vrasje me dashje” e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në “Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, parashikuar nga neni 79 /1/c i K. Penal (ligji i kohës) dhe dënimin e të pandehurit sipas ligjit.

– Nga i pandehuri me iniciale H. V, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit Nr.2649, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, duke vendosur:

  • Pafajësinë e të pandehurit në lidhje me veprën penale të “Vrasjes me dashje” , parashikuar nga neni 76 i K. Penal apo të ndonjë vepre penale më të rëndë se kjo.
  • Pafajësinë e të pandehurit për çdo vepër penale të kryer me dashje.
  • Në alternativë deklarimin fajtor të të pandehurit për njërën nga veprat penale të kryera nga pakujdesia, respektivisht: Atë të parashikuar nga neni 83 i K. Penal dhe ajo e parashikuar nga neni 85 i K.penal;

duke aplikuar nenin 406/1 të K.Pr. Penale në lidhje me masën e dënimit.

Në përfundim të gjykimit, më datë 06.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtarë Znj. Edlira Petri dhe Znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit Nr. 2649, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me cilësimin ligjor të veprës penale dhe dënimin e caktuar ndaj të pandehurit H. V.

– Aplikimin e nenit 406/1 të K.Pr. Penale duke i ulur me 1/3 (një të tretën) masën e dënimit dhe duke e dënuar përfundimisht të pandehurin H. V me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

– Ngarkohet Prokuroria për llogaritjen e dënimit të vuajtur nga i pandehuri H. V dhe ekzekutimin e këtij vendimi./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com