Ardian Sufaj, i njohur dhe me emrin Pëllumb, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë. 40-vjeçari u arrestua në Qershor të vitit të shkuar në Shëngjin, pasi akuzohet nga autoritetet e vendit fqinj se gjatë vitit 2022 dhe 2023 ai bashkë me persona të tjerë, kanë trafikuar 100 kg kokainë nga Ekuadori me qëllim shitjen në Itali. Por kjo ngarkesë gjatë transportimit u vodh. Sufaj i cili i zbuloi personat që i morën drogën, dhe mori peng një 40 vjeçar. Ai e kërcënoi me armë, për t’i dhënë informacion mbi vjedhjen e lëndës narkotike. Ndaj tij Gjykata e Apelit e Triestes ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale, si dhe “Pengmarrja”.
Policia e Shtetit njofton se krahas 40-vjeçarit, drejt Italisë u ekstradua edhe Artur Liçaj, i njohur dhe me mbiemrin Ademi. 56-vjeçari akuzohet se gjatë në vitet 2018-2019 ka drejtuar një grup kriminal që trafikonte kokainë, nga Holanda dhe Shqipëria drejt Italisë.
Përveç tyre, policia njofton se në Shqipëri u ekstraduan nga Gjermania edhe 3 persona të tjerë për tu përballur me drejtësinë. Arjan Shehu, rezulton i dënuar me 5 vite e 4 muaj burg, pasi ka drejtuar grup kriminal që pajiste kundrejt pagesave, shtetas të ndryshëm, me pasaporta evropiane false, që ata të hynin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kanada. Për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre e ekstradua ish-punonjësi i burgjeve, Shpëtim Avdullai. Ai është dënuar me 1 vit burg pasi ka falsifikuar fatura për riparimin e disa automjeteve të policisë së burgjeve.
I fundit që u ekstradua është Pirro Kotroçi 32-vjeç. Gjykata e Gjirokastrës i ka caktuar atij arrest në burg për plagosjen e një personi, ngjarje e ndodhur në vitin 2022.
/f.s