Një 31-vjeçare në Gjermani ka rënë në prangat e policisë pasi vodhi paratë e kompanisë ku punonte. Ajo u gjet përgjegjëse për një vjedhje spektakolare të parave të kompanisë ‘Loomis’ në Bremen në maj të vitit 2021.
Pas dy vitesh e gjysëm fshehur autoritetet gjermane e arrestuan hajduten e 8 milionë eurove në aeroportin e Bremenit. Yasemin Guendogan është emri i 31-vjeçares.
Puna e saj në ‘Loomis’ ishte të paketonte kartmonedhat në kuti. Ato më pas transportoheshin me makina të blinduara në bankomate.
Më datë 21 maj ajo kreu një aksion të vërtetë filmash. Yasmine atë ditë nuk i paketoi paratë në kuti si zakonisht, por në thasë dhe më pas i hodhi në kontejner që normalisht përdorej për mbeturina. Mbi thasët me para ajo hodhi mbeturina që të mos zbuloheshin sasitë e parave në kontejner.
Nga kontejneri paratë i ngarkoi në një automjet tip Mercedes Vito, të cilën e kishte marrë me qira në Berlin dhe që rezultonte me targa të vjedhura. Dhe krimi u zbulua vetëm katër ditë më pas, kur ajo ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Fillimisht u arratis jashtë Gjermanisë, drejt Turqisë.
Pas hetimeve të kryera dhe kur u mor vesh roli i saj në këtë histori vendosi të dorëzohej tek autoritetet gjermane dhe u vu në pranga në aeroportin e Bremenit teksa u kthye nga Turqia. Tashmë 31-vjeçarja ndodhet në paraburgim./m.j