Drejtësi kërkon familja e Adrian Fejzullahut që gjeti vdekjen pasi ra gjatë punës nga pallati në ndërtim në zonën e ish-kinostudios në rrugën “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë.
I vëllai Leonard Fejzullahu tha për gazetaren e Report Tv Xhoana Çallaku se kanë bërë denoncim në komisariat dhe se deri më tani janë arrestuar dy persona
Pyetje: Si e mësuat ngjarjen?
Më mori në telefon shoferi i ambulancës nga telefoni i vëllait. Vëllai e kishte pasur telefonin në xhep, i kishin hapur telefonin dhe më kanë marrë mua. E kanë parë numrin tim pasi i kisha rënë më herët në celular. Gjithë jetën ka punuar në ndërtim por prej një jave punonte te ajo firma.
Pyetje: Ju thatë se ju thirrën dhe te morgu?
Më thirri shoferi i ambulancës e më tha është në gjendje të rëndë. I thashë a të vij te spitali? Jo më tha më prit në shtëpi. Erdhi më mori këtu, pastaj rrugën më tha se ka vdekur. Kur shkova unë e gjeta të vdekur, ishte bërë sallatë, hemorragji e brendshme.
Pyetje: A ishte i siguruar në punë?
Këta thonë se gjoja ka qenë i siguruar, po ku ta dimë ne, ata ashtu thonë.
Pyetje: Çfarë kërkoni si familje?
Ne kërkojmë drejtësi nga shteti.
Pyetje: A tentuat të flisni me pronarin e firmës?
Pronarin e ka marrë policia. Ne shkuam dhe bëmë denoncimin te komisariati nr.4, pastaj pronarin e teknikun i ka arrestuar policia. I ati i pronarit na erdhi te shtëpia dhe na tha që i marrim ne përsipër shpenzimet. Jo, unë nuk kam nevojë për shpenzimet kam nevojë për drejtësi.
Vëllai ka lënë gruan dhe nënën 80 vjeç. Nuk ia di emrin se nuk u prezantua, tha jam babai i pronarit të firmës. Tha do u mbuloj shpenzimet, i thashë nuk kam nevojë. Te morgu nuk kam gjetur asnjë person nga firma ndërtuese./m.j