Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qendër të Durrësit mesditën e kësaj të marte, ku një vajzë të re e kanë hedhur nga kati i dytë i një hoteli.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se vajzën me shtetësi të huaj, e ka hedhur një mashkull, me të cilin ishin në objektin që shërben si hotel pranë Prefekturës. Fatmirësisht vajza ka rënë mbi çadrën e lokalit që ndodhej aty pranë dhe ka shpëtuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse që kanë bërë të mundur zbritjen e vajzës nga çadra, ndërsa policia ka arrestuar personin që e ka shtyrë.
Ajo është transportuar me autoambulancë drejt spitalit, ndërsa në vijim priten më shumë detaje rreth ngjarjes dhe identitetit të personit të arrestuar.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 14:40, në rrugë, në lagjen nr. 2, dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht shtetasi I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak dhe shtetasja nga Venezuela, D. L., 22 vjeçe.
Si pasojë janë dëmtuar lehtë të dy të përfshirët në konflikt, të cilët po marrin asistencë mjekësore në spital.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të konfliktit./m.j