Tre shqiptarë janë ekstraduar nga Greqia, Italia e Gjermania pasi akuzohen për trafik drogë e mashtrim nga autoritet shqiptare. Ekstradimet u kryen nga Interpol Tiranës në bashkëpunim me homologët në Itali, Gjermani dhe Greqi.
Konkretisht nga Italia është ekstraduar Saimir Prenga, 42 vjeç, pasi GJKKO vendosi “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“42-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Gj. L., gjatë periudhës 2017-2018, ka shitur rreth 67 kg kanabis”, njofton policia.
Nga Gjermania është ekstraduar 43-vjeçari Arjan Gjergji, pasi Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë 43-vjeçari akuzohet se ka “bashkëpunuar për prodhimin dhe shitjen e 20 kg kanabis në fshatin Grudë Fushë, në vitin 2021”.
Gjithashtu edhe Besmir Kola alias Zef Kola, 65 vjeç, banues në Durrës, është ekstraduar nga Greqia pasi Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Shtetasit e ekstraduar i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.