Policia greke, pas vlerësimit dhe shfrytëzimit të duhur të informacionit, identifikoi dy shtetas shqiptarë, të cilët të paktën që nga maji 2024, shpërndanin lëndë narkotike në ishullin grek të Mykonos.
2 shqiptarët kishin marrë përsipër shitjen tek blerësit, ndërsa një tjetër person i kërkuar, koordinonte shitjet, duke komunikuar me klientët potencial përmes aplikacioneve online. Ai ka informuar për çmimet dhe llojin e substancave, duke dërguar një listë çmimesh përkatëse, ndërsa ka specifikuar edhe veshjet e transportuesve në mënyrë që ato të identifikohen lehtësisht.
Në të njëjtën kohë, të arrestuarit kanë vepruar në një mënyrë specifike veprimi (modus operandi). Sipas policisë greke për kalimin e tyre në vendin ku kryheshin blerjet dhe shitjet, përdornin motoçikleta që i merrnin me qira afatshkurtër nga një kompani në Mykonos, të cilat i ndërronin shpesh dhe për të mos rënë në sy kanë përdorur veshje turistike (rroba banjo, këmishë e hapur), si dhe një kaskë mbrojtëse, ndërsa për të shmangur identifikimin e tyre, ata transportonin drogën brenda paketimeve të tabletave farmaceutike.
Në prangat e policisë greke ranë Kadri Duzha, 22 vjeç nga Cërriku dhe me leje qëndrimi italiane dhe Besnik Gjini 43 vjeç, banues në Mykonos. Në kërkim është shpallur një tjetër person, për të cilin policia disponon vetëm numrin grek të telefonit.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesave të dy shqiptarëve u gjetën dhe sekuestruan rreth 14 gram marijuanë, rreth 30 gram kokainë, mbi 10 gram 2-CB, rreth 12.5 gram MDMA, 21 tableta Ecstasy, 3 celularë, 1644 euro, 2 motocikleta të marra me qira.
/a.r