EMRAT/ Prokuroria sekuestron disa pasuri të paluajtshme, pronë e dy personave të dënuar në Itali për prostitucion e trafik droge

Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar disa pasuri të paluajtshme të llojit “Apartament” dhe “Njësi”, pasi dyshohet se burojnë nga aktivitete kriminale.

Pasuria e llojit “Apartament” me sipërfaqe 112m2, është në pronësi të shtetases me iniciale F.A, e cila rezulton se nuk e justifikon këtë pasuri me të ardhura të ligjshme, por e ka prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit, Sajmir Alterziu, i dënuar nga drejtësia italiane për trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni.

Pasuria e llojit “Njësi” me sipërfaqe  79m2, është në pronësi të shtetasit Edison Gashi, por nga hetimi pasuror ka rezultuar se kjo pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme, por e ka prejardhjen nga veprimtaria kriminale e këtij shtetasi i dënuar nga drejtësia italiane për trafikimin e lëndëve narkotike nga Belgjika drejt Italisë.

Njoftimi

Në kuadër të zbatimit të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar dhe synimit për të goditur pasuritë apo asetet e paligjshme që zotërohen/posedohen nga subjekte në fushën e veprimit të këtij ligji, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka konkluduar me sekuestrimin e disa pasurive të paluajtëshme dhe të luajtshme.

Pas veprimeve hetimore të kryera për procedimin pasuror nr.15/2020, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr. 90, datë 03.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u vendos sekuestrimi i pasurive që burojnë nga aktiviteti kriminal:

– Pasuria e llojit “Apartament” me sipërfaqe 112m2, në Elbasan, në pronesi të shtetases F.A

Nga hetimi pasuror, rezultoi se kjo pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme, por e ka prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit A.S., i dënuar nga drejtesia italiane per trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni.

Pas veprimeve hetimore të kryera për Procedimin pasuror nr.22/2020, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr. 89, datë 03.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u vendos edhe sekuestrimi i pasurisë që burojnë nga aktiviteti kriminal:

– Pasuria e llojit “Njësi” me sipërfaqe 79m2 , në Elbasan, në pronësi të shtetasit E.G;

Nga hetimi pasuror ka rezultuar se kjo pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme, por e ka prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit E.G, i dënuar nga drejtesia italiane për trafikimin e lëndëve narkotike nga Belgjika drejt Italisë.

Për ekzekutimin e vendimeve u ngarkuan Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, ASHK Drejtoria Vendore Elbasan dhe Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan mbetet e angazhuar për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e çdo pasurie që buron nga veprimtaria e paligjshme sipas parashikimeve të ligjit “Antimafia”./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com