Nga sektori i narkotikëve pranë Drejtorisë së Sigurisë së Athinës, u çmontua një organizatë kriminale që ushtronte aktivitet në furnizimin, magazinimin, falsifikimin, standardizimin dhe trafikimin e mëtejshëm të lëndëve narkotike në ishullin e Santorinit në Greqi dhe kryesisht në lokalet e natës në ishull gjatë muajve të verës.
Për t’i dhënë fund veprimtarisë kriminale, u u krye një operacion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit 4 anëtarë të grupit u arrestuan. Ndaj anëtarëve të mësipërm të arrestuar dhe një anëtari tjetër, aktualisht i paraburgosur u ngritën akuza për themelim dhe anëtarësim në organizatë kriminale, shkelje të legjislacionit për substancat e varësisë, për shkelje të legjislacionit për armët dhe dhunë ndaj punonjësve.
Rrjeti kriminal ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike me një infrastrukturë profesionale dhe kishte hartuar një plan veprimi metodik dhe të detajuar, duke siguruar funksionimin e pandërprerë të të gjitha fazave të veprimtarisë (furnizim, magazinim, falsifikim, standardizim dhe trafikim) për përfitimin sa më të madh.
Në prangat e policisë greke ranë shqiptarët Sulo Tahaj, 26 vjec dhe vëllai tij Genci Tahaj, 30 vjec nga Fieri, Fatmir Caushaj 36 vjeç nga Tirana, Renson Marra, 24 vjec nga Kuçova dhe shtetasja ukrainase Anastasiya Ivanichenko, 30 vjec, aktualisht e paraburgosur në Koridhalo. Në kërkim u shpall Hekuran Gremi, 29 vjec nga Patosi si dhe po punohet për identifikimin e 16 personave të tjerë.
Rolet e anëtarëve të organizatës ishin ndarë si më poshtë:
26-vjeçari Sulo Tahaj ishte drejtuesi i organizatës, përgjegjës për orientimin e plotë të anëtarëve të tjerë për transportin e drogës nga Athina në Santorini, standardizimin dhe ruajtjen e sasive në vende të fshehta në ishull për përfundimin e tyre me shpërndarjen në klubet e natës në ishull ose tek trafikantët e tjerë.
30-vjeçari Genci Tahaj ishte nëndrejtues, duke marrë pjesë aktive në menaxhimin dhe organizimin e grupit me fokus menaxhimin e të ardhurave të tij dhe përfitimet e pritshme.
36-vjeçari Fatmir Caushaj mori përgjegjësitë e drejtuesit dhe nënkryetarit të organizatës kur vellezërit Tahaj ndodheshin në Shqipëri.
30-vjeçarja Anastasiya Ivanchenko ishte përgjegjëse për transportin e drogës nga Athina në Santorini.
24-vjeçari Renson Marra ishte përgjegjës për gjetjen e lëndës narkotike dhe për “rekrutimin” e transportuesve të organizatës.
Pas përdorimit të duhur të informacionit, krijimit të profileve të anëtarëve të përfshirë në organizatë dhe verifikimit të ambienteve me të cilat ata ishin të lidhur, u kryen kontrolle në një magazinë dhe në tre shtëpi, ku u gjetën dhe sekuestruan 336 gramë kokainë, 2 kg 43 gramë marijuanë, 295 tableta “Ecstazy”, 1 pistoletë, 60 fishekë, 1 thikë, 24.890 euro, 9.050 pesos uruguaiane, 182 dollarë amerikanë, 100 dollarë australianë, 5 paund britanikë, 3 peshore elektronike, pajisje elektronike për evakuimin e ajrit dhe paketimin e drogës, një mori ambalazhesh najloni dhe 7 mjete për kryerjen e veprave kriminale të grupit (2 furgona për transportin e turistëve, dy automjete dhe 2 motoçikleta).
Bëhet me dije se disa anëtarë punonin në transportin e turistëve me automjete tip furgon dhe po përfitonin nga ky aktivitet për të kërkuar klientë.
Nga marrja në konsideratë e të gjitha të dhënave të hetimit, vlerësohet se fitimet e realizuara nga organizata i kalojnë 102.000 euro.
Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Qarkut Naxos./m.j