Përpjekja e një 29-vjeçari për të marrë vizë amerikane duke u prezantuar si staf i familjes mbretërore shqiptare, është një nga episodet e dokumentuara nga SPAK, në hetimin ndaj të akuzuarve për trafikimin e emigrantëve të paligjshëm drejt Anglisë dhe SHBA-së.
Referuar dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, i riu është vënë në kontakt me Ylli Çaushajn, të dyshuar si drejtuesin e grupit që dyshohet se manipulonte procesin e aplikimit për vizë amerikane me dokumentet të falsifikuara.
Në maj të vitit 2023, hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kanë mundur të përgjojnë bisedën e bërë mes tre personash brenda një automjeti “Porche” në përdorim të Çaushajt në Tiranë. Ata bisedojnë rreth një interviste që do të bënte në ambasadën amerikane një prej tyre, që do të shkonte jashtë si staf i mbretit.
Të nesërmen në mëngjes 29-vjeçari, që kishte aplikuar për vizë, para intervistës ka takuar Ylli Çaushajn dhe Artid Shtyllën, i pari i lënë në “arrest në burg” e tjetri në “arrest shtëpie”, të cilët e kanë parapërgatitur si duhet të përgjigjej.
Nga hetimi ka rezultuar se ambasada nuk i kishte pranuar pasaportën aplikantit, duke i kërkuar edhe një vërtetim punësimi. Tri ditë më vonë i riu ka takuar Ylli Çaushajn në automjetin “Porche”, ku ai i thotë “dokumentet i ke te xhaketa, mbrapa dhe do t’i dërgojmë me postë të thjeshtë, jo ekspres, që të mos biem në sy”.
Nga veprimet hetimore të SPAK, ka rezultuar se në pakon postare ndodhej pasaporta e 29-vjeçarit, si edhe një vërtetim në gjuhën angleze me siglën “Oborri Mbretëror Shqiptar”. Sipas SPAK, i dyshuari Ylli Çaushaj ka falsifikuar dokumentet me qëllim manipulimin e procesit për përfitimin e vizës amerikane nga 29-vjeçari, ndërsa i dyshuari Artid Shtylla ka bërë të mundur të mos bëhen verifikimet e plota nga ambasada për dokumentin e falsifikuar, duke pretenduar se ka njohje me personelin./m.j