Policia zbulon autorët e tentativës së grabitjes të ndodhur në fillim të dhjetorit 2023, në fshatin Prush të Tiranës. Bëhet fjalë për Klodjan Çypi dhe Kleotild Bardhi me precedent në fushën e grabitjes. Report TV ka siguruar fotot e dy autorëve.
Ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim nga policia dhe bëhet fjalë për F.T., i dyshuar edhe ai për “Vjedhje me armë”.
Këta persona tentuan të vidhnin një banesë në Prush.Në dhjetor të vititi 2023 dy grabitës hynë të armatosur me kallashinikov në shtëpinë e Gani Himës në Prush. Ata qëlluan në drejtim të patrullës së policisë që mbërriti në vendngjarje. Gjithsej ishin 5 grabitës në atë ngjarje, të cilët u ndanë më pas për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Ndërkohë ata dyshohen edhe për vjedhje në një argjendari në Kamëz si dhe për një vjedhje të mbetur në tentativë në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë. Ngjarja në Kamëz ndodhi në 28 nëntor të vitit të kaluar, ku tre persona hynë të maskuar në argjendarinë “Marsi” dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë disa bizhuteri floriri me peshë 500 gram, të cilat kanë qenë në tavolinë për shitje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Blind”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, tentativa e vjedhjes së një banese në Prush, ku personat e dyshuar, sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, e më pas janë larguar.
Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Të ndaluarit janë gjithashtu autorë të dyshuar të një vjedhjes së një argjendarie në Kamëz, dhe të një vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.
Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krëhra e municion luftarak, tre aparate celulare dhe 3 karta sim.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blind”.
Si rezultat i tij u ndaluan shtetasit:
– K. C., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,
– K. B., 32 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasit F. T., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit K. C., dhe F. T., më datë 09.12.2023, kanë tentuar të vjedhin në një banesë në fshatin Prush, dhe sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë hapur zjarr ndaj tyre, me armë, dhe janë larguar me një automjet tip “Audi”, në pronësi të shtetasit K. B.
Gjithashtu, dyshohet se këta shtetas janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2023, ku është vjedhur një argjendari në Kamëz, dhe të vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta të çmontuara, të gjetura në banesën e shtetasit K. B., tre aparate celulare dhe tre karta sim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, thuhet në njoftimin e policisë.
/f.s