Sa herë që regjimi komunist përballej me vështirësi ekonomike, i drejtohej tregtarëve. Kjo ndodhi për herë të parë në vitet 1945-1948 përmes Tatimit të Jashtëzakonshëm.
Përballë nevojës për të siguruar më shumë të ardhura në valutë, por edhe për të zbatuar parimin ideologjik të kohës për goditjen e asaj që konsiderohej si klasë armike, në vitin 1968 nis një diskutim i ri në qeveri; për një tatim të ri për ish tregtarët dhe ish pronarët.
Në vitet ’60 kur bëheshin këto diskutime, llogaritë bankare në valutë të huaj ishin të ndara në 2 lista të ndryshme. Nga këto lista, ishin përjashtuar llogaritë e vogla bankare në valutë, vlera e të cilave në lekë nuk e kalonte shifrën 10 mijë lekë.
Lista e parë përfshinte personat që kishin depozitë në bankë me prejardhje trashëgimie, ku bënin pjesë rreth 100 persona. Lista e dytë ishte lista e personave që kishin depozitë në bankë si të riatdhesuar ose me prejardhje nga emigracioni. Në këtë listë bënin pjesë 121 persona.
Nga këta, kryesonin shqiptarët nga Tirana dhe ata nga Korça që sëbashku kishin llogari bankare në Shqipëri që në vitet ’60 arrinin në 1.2 milion dollarë.