Ekzekutori i dyshuar i biznesmenit Ardian Nikulaj është rikthyer këtë të enjte në dyert e gjykatës së Lezhës. Nën masa të rrepta sigurie, portugezi Ruben Saraiva kërkon lirinë, me pretendimin se është i pafajshëm dhe nuk është ai personi që qëlloi për vdekje Nikulajn.
Avokati i tij Kujtim Cakrani tha se kishin kërkuar nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë, ose paraqitjen e provave të reja nga prokuroria. Sipas tij, dosja Metamorfoza 3 e SPAK, zbuloi fakte të tjera ku prokuroria duhet të hetojë.
“Prokurori nuk kishte asnjë provë, fakt tjetër, për të sjellë. Nuk ka prova reale. Ne i kërkuam gjykatës të zgjerojë hetimet sepse nga dosja Metamorfoza 3 kanë dalë emra të tjerë, organizime të tjera në lidhje me organizimin e vrasjes së Nikulajt. E orientuam prokurorin dhe gjykatën të zgjerohen hetimet sepse Saraiva po mbahet në burg kot”, tha mes të tjerash avokati.
Nga ana e saj, prokuroria mësohet se ka kërkuar nga Maroku dërgimin e sendeve personale të 28-vjeçarit Saraiva, që akuza beson se mund të ndihmojnë në provimin e fajësisë së portugezit.
Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin.
Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë. Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në Dhjetor të 2023.
/a.r