Miku i Besar Nimanit, boksierit shqiptar nga Kosova që u ekzekutua me armë zjarri në 9 mars në Gjermani, tha se beson se pas kësaj ngjarje fshihet i njëjti grup kriminal i përbërë nga turq dhe iranianë që e kishin sulmuar 10 vite më parë.
Në një prononcim për mediat e Kosovës, Xhavit Visoka tha se grupi kriminal donte që i ndjeri të ishte pjesë e organizatës nën urdhrat e tyre por boksieri nuk kishte pranuar.
“Njerëz turko-iranian, ata të cilët as veten nuk e duan, ata kanë menduar që munden edhe Besarin me e fut në grupin e tyre, kështu ka lind konflikti. Klan mafioz, narkomanësh, bastardësh. Besarin me mbyt ke mundur, por me frikësuar jo. Besoj që po, të njëjtit si para 10 vjetësh”, tha Visoka, kur flitej për vrasjen e Nimanit, njofton Klankosova.tv.
“Ai ka boksuar shqip, ka qenë luan, ka qenë i paparë”, u shpreh miku i të ndjerit.
38 vjeçari shqiptar Besar Nimani u vra të shtunën në mbrëmje në Bielefeld të Gjermanisë sapo doli nga restoranti ku po darkonte me miqtë e tij./m.j