Kristaq Xharo*
Duket se momenti më i rëndësishëm i dialogut Kosovë – Serbi përcaktohet nga dy produkte: formimi i asosacionit dhe njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia. Supozohet se pas këtij rezultati, gjithçka do të normalizojë raportet midis të dy shteteve. Tashmë këto janë dy ‘ultimatume’ të perëndimit, të cilat besoj që një ditë edhe pse me shumë sfida mund të realizohen, ndërsa për çfarë vjen më pas ndjehet se ato vështirë se do të kenë aq ndikim sa të normalizojnë sjelljen e shtetit serb ndaj Kosovës.
Përsa i përket ‘njohjes’ formale nga Serbia, referuar deklaratave të politikanëve të pozitës dhe opozitës nuk dallohen shenja optimizmi, ndoshta edhe për faktin se nuk dëshirojnë të prekin atë që e kanë kthyer në ‘mit’. Por edhe nëse në kushte të vështira dhe nën presion mund të arrihet, vështirë se do të ketë ndikim për ndryshim sjellje nga Serbia, diçka që është kthyer në ndjeshmëri historike, në kulturë sjellje dhe në strategji madhore për këtë shtet. Liderët e mëparshëm serb, por në mënyrë konstante Vuçiç, ka shmangur çdo veshje diplomatike duke deklaruar se nuk do ta njohin ndonjëherë Kosovën. Ky qëndrim u konfirmua edhe këto ditë, por më interesant ishte ai i para pak kohësh kur Vuçiç duke shpallur piketat e strategjisë dhe doktrinës serbe shprehej se objektivi strategjik i Serbisë deri në vitin 2030,pra pas 6 vitesh, është që fuqia ushtarake (hard power) të jetë 110 përqind më e madhe se gjithë fuqia e koalicionit të ‘shteteve armike’ të Serbisë.
Në konceptin e ‘shteteve armike’, pa asnjë mbulesë diplomatike, përmendet Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia, pra gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Është e vërtetë historike që këto shtete, asnjëherë, nuk e kanë sulmuar Serbinë, por fatkeqësisht kanë qenë viktima të agresionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Që në Kongresin e Berlinit, apo kohën e krijimit, Serbia (1878) është zmadhuar mbi 6 herë në agresion ndaj shteteve të tjerë, veçanërisht trojeve dhe popullatës shqiptare, dhe vlerësohet se numri i ushtarëve të vrarë është disa herë më i madh jashtë kufijve të saj.
Në Kosovë e kanë mjaft më të qartë se kudo tjetër, që asosacioni i kërkuar nga Serbia, e tashmë i imponuar nga fuqitë perëndimore, duket se vjen më tepër si dhuratë për orekset shoviniste serbe se sa si kujdes e vëmendje për komunitetin serb. Nuk është e vështirë të kuptohet që objektivi afatgjatë i Serbisë është që ky asosacion të jetë modeli për ‘republika serbska’, që si ‘kalë troje’ të përdoret në të ardhme. Por, për arsye madhore, strategjike dhe gjeo-strategjike, Kosova mbetet e detyruar ta pranoj ‘asosacionin’, edhe në funksion të interesave edhe më të mëdha, në funksion të mbijetesës, partneriteteve strategjike dhe një të ardhme sa më të sigurte. Duke besuar që edhe partnerët strategjikë, dukshëm nuk do ta dëshironin një ‘republikë serbska’ në Kosovë dhe përpiqen të japin garanci për këtë, nuk mbetet një alternativë tjetër e dytë, dhe Kosova nuk e ka luksin të kundërshtoj edhe më tej.
Duket se në rrugën e normalizimit si baraspeshë për asosacionin po kërkohet ‘njohja reciproke’ e Kosovës nga Serbia, që për shumë analistë perëndimorë, por edhe në Kosovë, e vlerësojnë thjesht si një angazhim simbolik, një kapërcim në qëndrimet nacionaliste të shtetit e politikës serbe. Mjaft dilema lidhen me këtë angazhim edhe nëse realizohet, qoftë edhe në ndonjë formë më të kamufluar. A do ti normalizojë kjo ‘njohje’ marrëdhëniet reciproke. A do të jetë më e sigurtë e më pak e kërcënuar Kosova pas njohjes? A është ‘njohja reciproke’ kusht për mbijetesë?
Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjendur dendur edhe në literaturën botërore, në alternativat e mbijetesës së një shteti nuk përmendet në ndonjë rast që ‘njohja reciproke’ është kusht për mbijetesën e shtetit. Shtetet veç e veç, në rajon apo edhe në nivel botëror kanë shkuar në luftë jo se nuk e kanë njohur reciprokisht njëri-tjetrin, por interesat kanë qenë diametralisht të kundërta. Shtet fqinjë, përfshirë Serbinë, e njohën Shqipërinë që para 100 viteve, por nuk kanë pushuar ndonjëherë aktet kundër saj deri në luftëra. Kujtoni luftërat botërore apo ballkanike, kujtoni provokacionet deri në të armatosura…
Pra ‘njohja’ nga Serbia nuk përbën garanci për mbijetesën e Kosovës. Kosova do të jetojë, ashtu si deri tani, për aq kohë sa do të ekzistojë vetë kombi shqiptar. Njohja nuk e detyron, në asnjë rast, shtetin serb të mos shkel ligjet ndërkombëtare, apo të ndryshoj strategjinë e tij madhore e objektivat e tij strategjik, qoftë edhe në rastin kur ai mund të ndryshoj edhe preambulën në kushtetutë së vet. ‘Banjskat’ kanë qenë model i hershëm (mbi 100 vjeçar) dhe i parapëlqyer e shtetit serb kundër shtetit shqiptar dhe nuk ka asnjë garanci të mos i përdor në të ardhmen edhe nëse ‘njohja’ ndodh nesër. Strategjia është ura për të shkuar nga burimet e fuqisë te interesat dhe sa më e madhe të jetë disbalanca e fuqisë aq më të mëdha do të jenë edhe dilemat e sigurisë.
Mendohet se ‘njohja’ e imponuar e Kosovës për Serbinë do ti inkurajoj edhe vendet e tjera për ta njohur shtetin kosovar. Edhe mund të ndodh, por procesi do të vazhdoj të jetë i vështirë. Vendet islamike dhe një pjesë e vendeve të Afrikës duket se kanë mbetur tërësisht nën hijen e Rusisë, Kinës apo edhe ish-Jugosllavisë, dikur liderë e ‘botës së tretë’, ndaj është e vështirë të besohet, se ato nuk do të vazhdojnë të ndikohen si deri tani nga lobingjet kundër njohjeve. Ajo çka është arritur deri tani në njohje i atribuohet kryesisht lobingut të SHBA dhe partnerëve perëndimor për të cilët besohet edhe në të ardhmen.
Në planin direkt, ‘njohja’ nuk do ta ndaloj Serbinë të nxijë me shpifje dhe intriga shtetin kosovar, të vazhdoj të ushqejë Hagën, nga bodrumet e veta, me fashikuj dosjesh kundër UCK e të ridimensionojë ‘banjska’ të tjera për të destabilizuar Kosovën. Kjo është dëshmuar përmes një strategjie në rritje agresive, që ka ndërtuar që pas humbjes së madhe në vitin 2010, në Gjykatën Ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Kosova nuk mbetet një rast i veçantë i mosnjohjes zyrtare nga një shtet fqinj apo ish-kolonial, bota është e mbushur me raste të tilla ndaj është mjaft inkurajuese që edhe pse për një kohë relativisht të shkurtër, për historinë e një shteti (20 vjet), ajo ka zënë një pozitë modeste e të nderuar në botë. Pra ideja kryesore qëndron në atë se mbijetesa e Kosovës, pavarësisht nga ndikimi, nuk varet nga njohja apo dëshira e Serbisë.
Shtetet në arenën ndërkombëtare janë në konkurrencë të ashpër e të vazhdueshme për fuqi, që siç shprehet David Mitran, vlerësohet edhe qellim edhe instrument. Është pikërisht fuqia ajo, që i klasifikon shtetet në: superfuqi, fuqi të mëdha, rajonale, të mesme e të vogla ose edhe me emërtime të tjera, por që kanë në bazë kapacitetet e saj. Në këtë kontekst, jo vetëm Kosova dhe Shqipëria janë shtete të ‘vegjël’ me kapacitete fuqie të kufizuara, por ashtu janë të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në Indeksin Global të Fuqisë (IGF) për vitin 2023, i cili integron dhe ju referohet shtatë faktorëve kryesorë si: fuqia ekonomike, demografike, ushtarake, mjedisore dhe e burimeve, politike, kulturore dhe teknologjike dallohet që shtetet e rajonit nuk kanë ndonjë pozicion të preferuar në listën botërore. Sipas kësaj matje (IGF 2023), që krahason 143 shtete Serbia ndodhet në vendin e 57, Kroacia 68; Sllovenia 85; Shqipëria 90; Mali i Zi 126; Bosnja 131; Kosova 132. Ndërsa për sa i përket fuqisë ushtarake (hard power) renditja për vitin 2023 vazhdon si vijon: Serbia 58; Kroacia 69; Shqipëria e 91; M. Veriut 108 Mali i Zi 128; Kosova 134. Me kapacitete të tilla fuqie vlerësohet se asnjë prej këtyre vendeve nuk disponojnë kapacitete për luftë e aq më pak për luftë të gjatë. Kjo nuk do të thotë se ato nuk mund të angazhohen në ‘proxy war’ luftë me porosi ku mbas tyre të qëndrojnë të tretë ose fuqi të mëdha. Kështu ndodhi në Luftën e Parë Botërore që zhyti gjithë Ballkanin në kasaphanë. Banjska ndoshta ishte një model për të shkuar në një skenar të tillë.
Edhe shtetet e rajonit, për aq kohë se ekzistojnë dilema sigurie ndodhen në kërkim të balancës së fuqisë. Sigurisht që ngritja e kapaciteteve të fuqisë së fortë/hard power është një sfidë tepër e vështirë ndaj një mënyrë kompensimi por që afron të njëjtat objektiva konsiderohet fuqia e butë/ soft power. Joseph Ney, shkencëtar politik dhe këshilltar në kabinetin e presidentit Klinton zbuloi i pari dallimet midis fuqisë ‘hard and soft’ ose ‘e fortë dhe e butë’. Ndoshta është me mjaft interes për vendet e vegjël,(Kosovë dhe Shqipëri) me mundësi të kufizuara të njohin edhe burimet për secilën nga kategoritë. Ndërsa ‘hard power’ siç thotë Kisinger është një privilegj i vendeve të mëdha dhe të fuqishme; ‘soft power’ shpjegon Ney është mundësi për të gjithë vendet, të mëdhenj apo të vegjël, të fuqishëm apo modest.
Ndërsa disa nga format klasike të përdorimit të fuqisë së fortë janë: ndërhyrjet ushtarake, sanksionet ekonomike; masat e ashpra diplomatike, apo diplomacia shtrënguese, dhe përdoren nga vende të fuqishme. Përndryshe ‘soft power’ gjendet në aftësitë dhe mundësitë ” që një shtet të arrijë atë që dëshiron jo përmes forcës, por atraksionit dhe vlerësimit të të tjerëve duke reflektuar në strategjinë e paraqitjes dhe sjelljes së shtetit e qeverisë, kulturës politike të liderëve; seriozitetit dhe angazhimi profesional në diplomaci; vlerësimit, respektit dhe harmonisë me aleatët strategjikë duke kuptuar objektivat më të rëndësishme; autoritetit moral të qeverive…e të tjera” Ky model fuqie është mundësi e çdo shteti dhe zhvillohet në kohë të pakufizuar, me zgjedhje më efektive dhe më të pranueshme në kohë. Ekziston edhe Indeksi Global i Fuqisë së butë, por çuditërisht edhe në këtë renditje shtetet e rajonit tonë përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën ose nuk klasifikohen ose janë në pozicione jo të pëlqyeshme.
Për tu kthyer atje ku u nisëm asosacioni dhe njohja mund të jenë hapa në drejtimin e duhur, ato janë veprime ku njëra është konkrete e tjetra abstrakte, dhe mund të kenë efekt për aq kohë sa partnerët do të kenë të njëjtin impenjim në rajon, por normalizimi që është proces do të kërkoj shumë më shumë angazhime. Bindja qëndron se mbijetesa e Kosovës pak varet nga njohja, që nuk kufizon asnjë lloj sjellje të palës tjetër, por nga aftësia e saj për të rritur kapacitetet e veta të fuqisë dhe ruajtja e partneriteteve strategjike afatgjata që duhet të kapërcejnë preferencat individuale të liderve politikë.
*Kristaq Xharo: Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës