Ervis Iljazaj
Mazhoranca e ndodhur nën presionin e deputetëve të opozitës në parlament, e opinionit publik dhe ndoshta dhe të ndërkombëtarëve, kërkon të aprovojë një ligj për komisionet hetimore, i cili në thelb ka kufizimin e të drejtës së 35 deputetëve për të kërkuar ngritjen e një hetimi ndaj aktivitetit të qeverisë. Sepse me sa duket, në këto kushte nuk arrin dot më ta justifikojë mos aprovimin e tyre.
Justifikimi i aprovimit të një ligji të tillë nga ana e mazhorancës është fakti se me komisionet hetimore po abuzohet dhe ato nuk mund të kenë objekt hetimi çfarë do lloj dëshire të 35 deputetëve. Ky është një argument që qëndron, pasi në këto 33 vite pluralizëm sigurisht me komisionet hetimore është abuzuar dhe disa herë kanë qenë qesharak. Për shembull kërkesa për 8 apo 9 komisione hetimore nga deputetët e opozitës është një abuzim. Është jo normale, dhe në fakt as e mundur që parlamenti të krijojë shumë komisione hetimore njëkohësisht. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë parlament të botës.
Mirëpo raste të suksesshme ka pasur. Siç është rasti i komisionit hetimor për çështjen e inceneratorëve. Në këtë kuptim Parlamenti i Shqipërisë nuk mund të kalojë nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Nga fakti që abuzohet më këtë të drejtë, në shtrëngimin dhe kufizimin e kësaj të drejte. Aq më tepër që është një e drejtë kushtetuese, kryesisht e konceptuar si instrument i opozitës për të kontrolluar qeverinë.
Kështu që ligji për komisionet hetimore që ka paraqitur mazhoranca, nuk është gjë tjetër veçse një mur mbrojtës i pushtetit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për pushtetin aktual, por për këdo që do të jetë në pushtet apo në opozitë në vitet në vijim.
Edhe nëse ka vërtet një abuzim me këtë të drejtë nga ana e opozitës, parime të tilla nuk ndryshohen vetëm si pasojë e kontekstit aktual, por duke patur parasysh të ardhmen e mekanizmave demokratikë të Shqipërisë. Mirëpo dihet që politika shqiptare mendon sot për sot, dhe jo për të ndërtuar një sistem demokratik që t’i shërbejë brezave që do të vijnë. Edhe nëse më këtë të drejtë është abuzuar, është më mirë për një vend dhe demokracinë e tij që të abuzohet më të drejtat se sa të kufizohen ato.
Të përmirësosh sjelljen e politikës nëpërmjet ligjeve është një përpjekje e kotë. Mekanizmat kushtetuese, zbatimi i parimeve dhe rregullave të saj varen në shumicën e raste nga mirëbesimi, nga kultura institucionale dhe politike dhe nga ndërgjegje e klasës politike. Kështu që çfarëdo ligji të aprovohet për komisionet hetimore nuk zgjidh problemin e kulturës së ulët demokratike dhe përgjegjësisë institucionale të politikës shqiptare.
Megjithatë ligji ka në thelb tre probleme kryesore. E para, mazhoranca fiton kohë dhe nuk aprovon komisionet hetimore të kërkuara nga deputetë të opozitës, gjë e cila bën që një e drejtë kushtetutese e minorancës të mos zbatohet. Dhe në këtë kuptim, është një non sens juridik dhe logjik. Nuk ka asnjë të drejtë kushtetuese e cila të pengohet me justifikim se mungon një ligj. Sepse kushtetutat demokratike janë ndërtuara në mënyrë të tillë, që disa parime themelore bazë, siç është ky i ngritjes së komisioneve hetimore, të zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk kanë nevojë për ligje. Kushtetuta është e qartë në këtë drejtim.
E dyta, kufizon mekanizmat e kontrollit që opozita ka ndaj aktivitetit të qeverisë. Në fakt ky është i vetmi mekanizëm që opozita ka në parlament për ta ushtruar këtë detyrë të saj. Prandaj dhe kufizimi i kësaj të drejtë është i rrezikshëm për demokracinë.
Dhe e treta, projekt-ligji, ashtu sikurse është propozuar lë në dëshirë të mazhorancës për të gjykuar se cili komision hetimor mund të ngrihet, se cili komision ka një objekt hetimor kushtetues. Duke marrë kështu, një rol, që as nuk e ka sipas Kushtetutës së Shqipërisë, as nuk duhet ta ketë. /Liberale.al/