Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka pranuar kallëzimin e Olsi Ramës ndaj Gazment Bardhit, duke konstatuar se nuk ka asnjë shpifje dhe asnjë kallëzim të rremë. Për këtë arsye, Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj, më datë 17 prill, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin e paraqitur nga Olsi Rama.
“Edi Rama nuk mund të fshihet më! Pretendimi i tij se nuk jep shpjegime në Kuvend, sepse kërkuesi i interpelancës është kallëzuar në SPAK, është rrëzuar më 17 Prill.
Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare. Prandaj, pasi u fsheh pas Olsit për 1 muaj, fitojë kohë për të gjetur alibi e gënjeshtra, sot Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?”, tha Bardhi.
Ky i fundit theksoi se SPAK duhet të provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjësisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit.
“Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë. Kaq duhet dhe më pas zotimi i Edit të vogël, “ose unë ose ai në burg”, merr përgjigje vetiu”, deklaroi Bardhi.
Olsi Rama kallëzoi Gazment Bardhin me pretendimin se ka shpifur ndaj tij, duke e akuzuar si të përfshirë në Laboratorin e drogës në Xibrakë.
Lidhur me këtë vendim të SPAK ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, që ka kërkuar që Edi Rama të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.
/a.r