E rrëmbyen kur ishte 6-vjeç, xhaxhai gjendet nga mbesa pas 73 vitesh, pengu i nënës së tij

Një grua arriti të zgjidhë misterin e rrëmbimit të xhaxhait të saj, 73 vite pasi ai u mor peng teksa po luante në një park kur ishte vetëm 6-vjeç.

Luis Armando Albino, sot 79 vjeç, më në fund u bashkua me familjen e tij biologjike falë punës së palodhur të mbesës së tij, Alida Alequin, e cila luajti një rol kyç në zgjidhjen e misterit që zgjati për shtatë dekada.

Në vitin 1951, Luis, i cili ishte vetëm 6 vjeç, po luante në Jefferson Square Park në West Oakland, Kaliforni, me vëllain e tij 10-vjeçar, Roger. Një grua iu afrua dhe e joshi me ëmbëlsira. Ajo më pas e rrëmbeu dhe e dërgoi në New York, ku u rrit nga një çift lokal sikur të ishte djali i tyre.

Ndërsa familja e tij e vërtetë kërkonte me dëshpërim përgjigje, nëna e Luisit kurrë nuk e humbi shpresën se ai do të kthehej. Ajo fatkeqësisht vdiq në vitin 2005, në moshën 92-vjeçare, pa e zbuluar kurrë fatin e të birit.

Pas shumë dekadash, mbesa e tij Alida vendosi të nisë kërkimet për të zbuluar se çfarë ndodhi me xhaxhain e saj. Për fat të mirë, falë këmbënguljes së saj, ajo arriti të ndihmojë policinë e Oakland-it, FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë në gjetjen e tij.

Luis më në fund u gjurmua në bregun lindor të SHBA-së dhe një analizë e ADN-së konfirmoi identitetin e tij. Në gusht të këtij viti, ai u bashkua me vëllain e tij Roger, 83 vjeç, por fatkeqësisht ky i fundit ndërroi jetë një muaj më vonë për shkak të kancerit.

I emocionuar kur pa familjen e tij për herë të parë, Luis e përqafoi mbesën e tij dhe i tha: “Faleminderit që më gjete.”

Alida tha: “Jam shumë e lumtur që arrita ta bëj këtë për nënën dhe xhaxhain tim. Ishte një fund shumë i lumtur. Gjithmonë kam qenë e vendosur ta gjej dhe me historinë time, shpresoj të ndihmoj edhe familje të tjera që po kalojnë të njëjtën gjë.”

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com