Një 25-vjeçar, protagonist i dy ngjarjeve kriminale të ndodhura në harkun kohor të 11 ditëve në qytetin e Vlorë është arrestuar nga policia.
I riu në fillim të muajit ka vjedhur 150,000 lekë në ambientet e një kazinoje, ngjarje që u denoncua nga biznesi në fjalë dhe çoi në nisjen e hetimeve nga policia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së kallëzimit, më datë 12.09.2024, se në ambientet e një kazinoje në Vlorë, disa ditë më parë ishte vjedhur një shumë parash, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe, bazuar në pamjet filmike dhe në provat e tjera të siguruara, finalizuan operacionin policor të koduar “Storm 25”. Si rezultat, u bë identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit: D. Z., 25 vjeç, banues në Vlorë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 25-vjeçari, më datë 01.09.2024, ka vjedhur 150 000 lekë në ambientet e një kazinoje.”
Ditën e djeshme i riu u përfshi në një tjetër ngjarje të rëndë, pasi në bashkëpunim me një 23-vjeçare ka plagosur me thikë një grua brenda një lokali në lagjen “Hajro Çakërri”.
“Gjithashtu, shtetasi D. Z. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen Xh. Th., 23 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal, më datë 12.09.2024, në ambientet e një lokali, në lagjen “Hajro Çakërri”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasen E. D., 41 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën.”