Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Pejës në Kosovë, ku një 23-vjeçare me origjinë nga Shqipëria është përdhunuar nga dy persona.
Nga informacionet e publikuara nga prokuroria e Kosovës bëhet me dije se e reja vuan nga probleme të shëndetit mendor. Në lidhje me rastin janë arrestuar dy persona.
“Dy persona janë arrestuar për veprën penale të dhunimit të 23-vjeçares nga Shqipëria”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Mediat kosovare kanë publikuar dhe inicialet e personave të ndaluar, Sh.B dhe I.G., njëri prej të cilëve raportohet se është babai i një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës.
Vajza dyshohet se shkoi me autobus nga Shqipëria në drejtim të Kosovës dhe u abuzua seksualisht në ambientet e një moteli.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes, ku kanë sekuestruar dhe një autoveturë.
Vajza ishte raportuar e zhdukur nga familja, kur ajo u gjet në Pejë dhe iu nënshtrua ekzaminimive, ku u konstatua dhe abuzimi seksual.