U desh komenti i Aleksandër Vuçiç kundër medias britanike “The Guardian”, që të nxiste reagimin e fortë të Bashkimit Europian.
I pyetur lidhur me deklaratën e Vuçiç, që pas një artikulli kritik e cilësoi “The Guardian” si media kriminale, zëdhënësi Peter Stano kërkoi qartë që gazetarët në Serbi të punojnë pa presion ndërsa dënoi Beogradin për lejimin e përhapjes së propagandës pro ruse.
“Nuk komentojmë zakonisht deklaratat e personave të tjerë, sidomos kur nuk e dimë kontekstin. Por, BE-ja dhe Komisioni Evropian kanë qëndrim të qartë dhe mbështesin fuqishëm lirinë e mediave dhe të gazetarëve si në BE, ashtu edhe jashtë saj. Kërkojmë fuqishëm që gazetarët të kenë mundësi të punojnë pa presion.. Cilësime të tilla për mediat flasin shumë për atë person, i cili duhet të hedhë sytë përreth për të parë se çfarë po bën administrata e tij me mediat. Përshembull, lejimi i mjeteve të propagandës ruse që të vendosen në Serbi. E kam fjalën për RT-në, medium i Rusisë që është i ndaluar në BE, i cili përhap propagandën më të ashpër ruse rreth luftës ilegale të Rusisë ndaj Ukrainës…”
Sakaq, zëdhënësja Ana Pisonero i bëri thirrje Serbisë t’i japë fund, pandëshkueshmërisë për përgjegjësit e vrasjes së gazetarëve, dhe i ka kërkuar të sigurojë kushtet e duhura për punën e lirë dhe të pavarur të gazetarëve.
Gjykata e Apelit në Beograd liroi javën e kaluar katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në prill të vitit 1999.
“Autoritetet përkatëse të Serbisë duhet të ndërmarrin hapa që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë në këtë rast dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët. Gazetarët duhet të punojnë pa presion dhe në mënyrë të lirë.”
Pisonero ka rikujtuar edhe porositë nga Raporti i Progresit për Serbinë, ku kërkohet që të krijohen kushte për respektimin e standardeve të lirisë së mediave në Serbi.
/a.r