E ngarkuara me Punë e në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, pas marrjes së detyrës ka adresuar mesazhin e saj në gjuhën shqipe për qytetarët tanë.
Ajo shprehet se është e gatshme të zbulojë më shumë për Shqipërinë dhe kulturën e saj, ndërsa vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura për ta mbështetur në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
VanHorn ka shtruar tri pyetje për qytetarët, të cilëve u kërkon bashkëpunim duke filluar se “cilin vend duhet të vizitoj të parin? Cili është ushqimi që duhet të provoj patjetër? Dhe, cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni?”
“Përshëndetje të gjithëve, Unë jam Nancy VanHorn dhe jam e nderuar të filloj punë si e Ngarkuar me Punë në ambasadën e SHBA-ve, këtu në Tiranë.
Nga viti 2007 kur ju bashkova shërbimit të jashtëm të Shteteve të Bashkuara, kam punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat në Ukrainë, Armeni dhe Rusi. Jam e emocionuar që jam në Shqipëri dhe që do të punojmë së bashku për qëllimet tona të përbashkëta: për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s, dhe për të cuar përpara rritjen ekonomike. Jam e përkushtuar të mbështes Shqipërinë në rrugën tuaj drejt integrimit europian dhe të forcoj lidhjet mes dy vendeve tona.
Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të zbuloj kulturën e pasur të Shqipërisë. Për këtë më duhet ndihma juaj për të filluar!
Kam tre pyetje për ju: Cilin vend duhet të vizitoj të parin? Cili është ushqimi që duhet të provoj patjetër? Dhe, cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni? Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë në vendin tuaj të bukur ! Pres me kënaqësi të zbuloj, të mësoj, dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, u shpreh Nancy në gjuhën shqipe.