Zbardhen të tjera detaje rreth dëshmisë së 50-vjeçarit shqiptar, Fatmir Tarellari, i cili fitoi dje lirinë, ndërsa gjykata caktoi ndaj tij masën ‘arrest shtëpie’.
“Po bërtisja sepse më përdhunoi fëmijën dhe ai po tallej me mua. E futa në shtëpinë time, po e ndihmoja financiarisht dhe ai më shkatërroi fëmijën dhe jetën tonë”.
Me këto fjalë, 50-vjeçari që vrau kunatin dhe përdhunuesin e vajzës së tij 18-vjeçare, ka folur para togave të zeza, të cilat e liruan atë përkohësisht. Shqiptari tregoi makthin që nisi më 7 janar, kur u informua nga pronarja e së bijës se qiraja e banesës në qytetin ku ajo studionte nuk ishte paguar.
Vajza e tij ishte në shtëpinë e motrës së saj në Volos kur babai i kërkoi sqarime, por nuk mori përgjigje. Ai nuk arriti që të merrte dot përgjigje në telefon dhe shkoi në shtëpi për të takuar dy vajzat e tij.
Në bisedën mes babait dhe vajzës, nga 18-vjeçari u zbulua se paratë ia kishte marrë një person që e kishte abuzuar dhe përdhunuar seksualisht në të kaluarën dhe tani e kërcënonte se nëse nuk ia jepte paratë do t’i zbulonte familjes dhe gjithë botës foto që kishte në posedim.
Pa treguar identitetin, 50-vjeçari ka mbështetur vajzën e tij dhe i ka qëndruar në krah. Ai nuk e mendoi për asnjë moment se personi abuzues ishte një i afërm i familjes së tij, ndërsa kërkoi që të bënte padi, ndërkohë që i kërkoi një psikolog. Ai fajësoi veten për faktin se nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë po përjetonte fëmija i tij për kaq shumë vite. Tarellari u fiksua për të zbuluar se kush kishte abuzuar seksualisht dhe përdhunuar vajzën e tij, sipas dëshmisë së tij në gjykatë. Mëngjesin e së martës së kaluar, 18-vjeçarja më në fund zbuloi identitetin e përdhunuesit të saj. “Gjendjes sime të rëndë mendore iu shtua ndjenja e tradhtisë”, mësohet të jetë shprehur shqiptari për kunatin e tij, Erjon Pelivani.
Në pamundësi për të menaxhuar atë që po ndodhte, ai u largua nga Volos për t’u rikthyer në Argalasti. Atje ai nuk gjeti qetësi dhe dot dhe donte t’i kërkonte kunatit një shpjegim. Duke ditur të kaluarën e tij të dhunshme, ai ka marrë me vete edhe pushkën që posedon ligjërisht. 50-vjeçari nuk e ka telefonuar vetë 33-vjeçarin pasi nuk kanë pasur shumë kontakte, por ka vënë gruan e tij në telefon me vëllanë e saj dhe i ka kërkuar që të shkonte tek ata.
33-vjeçari ka parkuar makinën në krahun e kundërt dhe është nisur drejt 50-vjeçarit që ndodhej në anën e kundërt të rrugës. “Pse më dhunove dhe ma shkatërrove vajzën”, i bërtiti 50-vjeçari kur e pa. Ai, përkundër faktit se në dukje kishte parë armën që mbante kunati i tij, jo vetëm që nuk dha asnjë shpjegim, por përkundrazi buzëqeshi me hidhërim dhe vrapoi, duke ndryshuar drejtim, tentoi ta sulmonte dhe t’i rrëmbejë armën.
Si e përshkruan vrasjen
50-vjeçari tha se për t’u mbrojtur, ka goditur me tytën e armës 33-vjeçarin në kokë dhe gjoks dhe ai është rrëzuar. Por ai u ngrit dhe e sulmoi përsëri. Pastaj ata u përleshën. 33-vjeçari – sipas asaj që ka dëshmuar autori, tentoi t’i hiqte karabinanë dhe gjatë përleshjes është tërhequr këmbëza dhe i riu u qëllua për vdekje.
Fill pas ngjarjes, Fatmiri u kthye në Volos, shkoi në shtëpinë e vajzës së tij pa treguar se çfarë kishte ndodhur dhe prej andej shkoi në zyrën e avokatit dhe thirri policinë për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Më pas është dorëzuar.
/a.r