Sonte në orën 20:00, kryeministri i vendit Edi Rama do të japë një intervistë ekskluzive për Rai 3.
Siç bën me dije vetë ai, do të ballafaqojë faktet pas reportazhit të bujshëm të programit italian. Teksa ka postuar një foto me gazetarin italian Giorgio, thekson se “do më shumë të vërtetën”.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
“E dua Giorgio-n, por më shumë të vërtetën” Sonte 20:00
“RAI3 Report” bëri para disa javësh një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politike italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tre mijë migrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, duke cenuar imazhin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Dihet “lufta” që pasoi e që u bë temë e mediave italiane pas kundërvënies sime ndaj asaj llumnaje.
Drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës sime publike drejtuar atij personalisht, për të ballafaquar faktet në sytë e audiencës së RAI3. Ramë dakord, që përveç copave të intervistës së bërë në zyrën time, të cilat ata do t’i marrin e do t’i presin dhe qepin sipas skenarit të tyre (me qëllimin lehtësisht të lexueshëm të vazhdimit të përzierjes në të njëjtin kazan të sherrnajës politike italiane me llumin e eksportuar nga Tirana) intervista e pacensuruar do të publikohet e plotë njëkohësisht në rrjetet sociale të Report, si edhe këtu në këtë faqe.
Sonte në mbrëmje shikoni, dëgjoni e gjykoni vetë, unë s’po bëj asnjë koment. Nesër flasim, këtu jemi prapë *Kujdes e kam fjalën për Giorgio-n, gazetarin në foto, jo për Giorgia-n, shënjestrën kryesore të “RAI3 Report”
Kujtojmë se reportazhi i Rai 3 në të cilin u trajtua marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët, e cilësonte Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçin si “ish-avokat i trafikantëve të drogës”.a.m.