Dy vjetori i luftës në Ukrainë/ Hasani: Krenar për rolin e Shqipërisë, jemi krah Kievit

Në dyvjetorin nga agresioni rus në Ukrainë, ministri Igli Hasani përmes një videomesazhi në rrjetet sociale shprehet se Shqipëria qëndron përkrahë Ukrainës dhe do të vazhdojë ta mbështesë me të gjitha forcat dhe mënyrat atë dhe popullin e saj, në rezistencën së tyre heroike ndaj luftës së ashpër dhe të padrejtë të Rusisë.

Igli Hasani: Dy vite më parë, e gjithë bota shikonte me tmerr se, si Rusia filloi luftën e saj të paligjshme dhe agresive kundër Ukrainës. Pa provokim, pa justifikim, Ushtria Ruse nisi një pushtim kundër një kombi sovran dhe të pavarur në Evropë, diçka që kontinenti ynë nuk e kishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që prej dy vitesh, ne kemi qenë dëshmitarë të tmerreve të këtij pushtimi: shkatërrim, plaçkitje, përdhunime, vrasje të civilëve të pafajshëm dhe rrëmbime të mijëra fëmijëve ukrainas. Mariupol dhe Bucha mbahen mend për barbarinë e shfaqur nga ushtria ruse kundër kombit të lirë dhe të pavarur ukrainas. Që prej dy vitesh, ne kemi qenë dëshmitarë të trimërisë dhe guximit të popullit ukrainas. Rezistenca e tyre heroike ka fituar admirimin e mbarë botës dhe ka mobilizuar solidaritet dhe mbështetje të pashoqe.

Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës, përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë. Jam, veçanërisht, krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme. Ne kemi bërë të pamundurën për të mbështetur Ukrainën, sepse besojmë se Ukraina dhe populli i saj meritojnë të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen që mund të marrin në luftën e tyre të drejtë.

Ne kemi bërë maksimumin për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj, edhe sepse kuptojmë se lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Çdo gjë tjetër, do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin, duke e zvogëluar kështu ligjin ndërkombëtar në ligjin e xhunglës.

Për ne, në Ballkanin Perëndimor, lufta në Ukrainë ka ringjallur kujtime dhe emocione të dhimbshme nga vitet 1990, kur rajoni ynë ishte shtëpia e luftës së fundit në Evropë. Por, lufta në Ukrainë ka ndikuar seriozisht edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Prandaj, më 28 shkurt, në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin Ukrainë – Ballkani Perëndimor.

Dhe ky Samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonin tonë dhe Evropës.

 

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com