Ministri i Brendshëm Taulant Balla ngushëlloi familjen e nënkomisarit, Arben Pjeçi, i cili vrau veten në Komisariatin e Durrësit disa ditë më parë. Balla nënvizoi se, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë po bën verifikimet e veta dhe AMP po bën verifikimet e veta për këtë ngjarje.
“Prej atij momenti të parë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi bërë të gjitha verifikimet tona, edhe si koleg, por edhe si qytetar, se kush janë shkaqet që e kanë çuar në atë vendim. Të them të drejtën nuk na dha mundësinë që ta merrnim në konsideratë një ankesë prej tij, qoftë për faktin që Policia e Shtetit ka qenë e detyruar të zbatojë një vendim gjykate. Por na duhet një përkujdesje më e madhe dhe një komunikim më i hapur dhe më miqësor me çdo punonjës Policie në të gjitha nivelet për të kuptuar në fakt edhe problematika të tjera, që ndoshta nuk lidhen me punën e policisë, edhe një qasje tjetër të shërbimit me psikolog”, tha Balla.
“Mos harroni asnjëherë, punonjësit e Policisë janë ata që nuk kanë asnjëherë as orar dhe më takon mua t’i jap një zgjidhje përfundimtare historisë së mospagesës së orëve jashtë orarit. Kemi bërë një zgjidhje të parë për pagesën e ushqimit, më në fund, por duhet të japim zgjidhje të tjera. Mos harroni që punonjësit e Policisë janë të parët që thirren për çdo lloj problematike. Se bie zjarr, se bie shi, se përmbytet e problematika të tjera, Policia e Shtetit është e para që mbërrin. (Edhe gazetarët). As e vë në dyshim që edhe ju keni të njëjtat le të themi, por unë nuk jam Ministri i gazetarëve, jam ministri i Brendshëm. Ju e dini që e respektoj shumë punën tuaj”, theksoi Balla./m.j