Në një takim informal nga Shkodra, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se SPAK si institucion është i pavarur për shkak të fuqisë që i ka dhënë Kushtetuta e vendit, mirëpo nuk e ka përjashtuar as mundësinë e një “flirtimi me pushtetin”.
Ai tha se kjo pavarësi për të cilët po flitet e që është vënë shpeshherë në dyshim, është fakt, mirëpo e gjitha varet nga integriteti i secilit prokuror apo gjykatës. “Mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”, tha Duamani në fjalën e tij.
“Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit duket legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara dhe këto struktura. Ne kemi pavarësi totale të garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Mirëpo, gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës, mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”, tha Dumani.
Ai përfundoi duke thënë se SPAK po punon për t’i dhënë fund mitit të pandëshkueshmërisë, përtej emrave dhe pushteti që mund të kenë ose kanë pasur individët.
Takimi zhvilluar pa praninë e kamerave u mbajt në Universitetin e Shkodrës dhe vjen në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për luftën kundër korrupsionit.
/a.r