Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i komunikoi këtë të mërkurë ish-kryeministrit Sali Berisha se ka ngritur ndaj tij akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.
Për të folur lidhur me këtë ngjarje si dhe të tjera lidhur me politikën në vend, në studion e Klan News me gazetarin Besard Jacaj ishte i ftuar deputeti Agron Duka i cili u shpreh se situata në të cilën ndodhet ish-kryeministri Sali Berisha sjell një penalizim të madh për opozitën për shkak të mungesës së komunikimit me të.
Agron Duka: Unë nuk marr përsipër të komentoj vendimet e gjykatave. Mendimin tim e kam thënë gjithmonë. Nuk besoj që është normale që të dënohen njerëz për vendime kolegjiale dhe penalizohet politikisht me votë. Sepse ky vendim është marrë nga një njeri pavarësisht se ka derivuar. Në detaje pastaj nuk e di, nga mediat dëgjova që akuzohet për korrupsion pasiv. Mendoj që kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë pra që duke qenë një lider i opozitës duhet të merret një vendim përfundimtar sepse është penalizim për opozitën që udhëheqësi i saj qëndron i izoluar. Nuk është njëlloj si kontakti ballë përballë si me telefon apo me ndërmjetës.
Ndër të tjera Duka gjatë fjalës së tij u shpreh se kodi zgjedhor i penalizon partitë e vogla ku përmendi edhe nevojën e negocimit me liderin e opozitës për formimin e koalicioneve.
Agron Duka: Fakti është që ne jemi përpara formimit të koalicioneve dhe për shkak të kodit zgjedhor ne duhet patjetër të negociojmë me zotin Berisha ai që do të dalë me bllokun opozitar për shkak se kodi zgjedhor i penalizon partitë e vogla për të dalë vetëm dhe nuk kemi mundësinë që të komunikojmë sepse është negocim. Kjo e dëmton shumë opozitën. Uroj që të marrë fund njëherë e mirë çfarë do të bëhet me liderin e opozitës sepse edhe kjo lloj akuze nuk e di a ka formë përfundimtare apo jo.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij deputeti Agron Duka foli edhe lidhur me drejtësinë e re ku u shpreh se kjo e fundit është më e mirë se ajo që ka qenë.
Agron Duka: Mendoj që drejtësia e re është më mirë se ajo që ka qenë. Ka shumë probleme dhe vonesa në marrjen e vendimeve. Në këtë kontekst volumi i punës së tyre është shumë i madh dhe do të thoja që është shumë më mirë se sa dikur ku politika, jo se sot nuk ka efekt, por jo siç ka qenë. E them me bindje që në një grup gjyqtarësh sado të mundohet Rama nuk mund t’i ndikojë ata në marrjen e vendimeve. Unë them shyqyr që ka marrë fund jo plotësisht, por ka marrë njëfarë drejtimi pozitiv të ndikimit të politikës në drejtësi. Pra ka njëfarë ndarje, ka një pushtet realisht të pavarur.
/a.r