Javën e ardhshme pritet që të votohet në parlament amnistia penale. Socialistët do të pranojnë propozimet e opozitës për të bërë pjesë të amnistisë edhe protestuesit e saj gjatë viteve 2018-2020.
Mazhoranca pritet që javën e ardhshme të miratojë në parlament amnistinë penale. Drafti i sjell nga ministria e drejtësisë në kuvend kërkon shumicë të cilësuar të votave dhe bashkëpunim me opozitën për t’i dhënë dritën jeshile.
“Ne do ta përmbyllim javës që vjen këtë draft në komisionin e ligjeve e pastaj për seancën plenare ku do të duhet të sigurohet konsensusi i nevojshëm i votave, prej 84 votash”,-tha Ulsi Manja, ministri i drejtësisë.
Socialistët vendosën të pranojnë propozimet e bëra nga 3 deputetët të partisë demokratike, mes të cilëve edhe përfshirjen e 100 protestuesve të opozitës nga 1 tetori i 2018 deri në 31 dhjetor 2020, të cilët janë në ndjekje penale apo proces gjyqësor.
“Për disa nga propozimet që ka bërë opozita kemi qasje pozitive”,-u shpreh ministri.
Përfitues të amnistisë penale pritet të jenë 600 të burgosur, mes të cilëve edhe personat e dënuar në mungesë, ata që janë në kërkim ose me dënim të formës së prerë. Amnistia është konsideruar si nevojë për t’u miratuar për shkak të mbipopullimit në burgje.
/f.s