Ekspertimi daktiloskopik mbi një pajisje dron të kapur nga autoritetet e burgut të Burrelit, nuk ka dhënë rezultat. Burime pranë grupit hetimor të prokurorisë së Dibrës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që po hetojnë për veprën penale të “futjes së sendeve të paligjshme në burg”, thanë për A2 CNN se në pajisje nuk janë gjetur gjurmë gishtash me vlera identifikuese.
Në vijim, kjo prokurori ka vendosur të dërgojë pajisjen fluturuese të telekomanduar në Policinë Shkencore në kryeqytet, për t’ju nënshtruar një akt-ekspertimi kompjuterik që do të çojë në identifikimin e numrit IMEI dhe çdo informacion të administruar nga pajisja.
Ndërkohë Prokuroria e Dibrës ka administruar regjistrat e burgut të Burrelit për të verifikuar cilët kanë qenë të burgosurit në ajrim në kohën kur është kapur droni, apo për personat që kanë kërkuar të dalin në ajrim në atë kohë.
Kapja e dronit që po mbikëqyrte ambientin e ajrimit në burgun e Burrelit u njoftua të dielën nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Pajisja ra në hapësirën që përdoret për daljet në ajrim të të dënuarve, për shkak të pajisjeve të posaçme për ndërprerjen e valëve pranë burgut, shkruan A2. Sipas të dhënave të siguruara nga A2 CNN, pajisja teknologjike nuk përmbante sende të ndaluara, por dyshohet se kishte si qëllim filmimin brenda burgut të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve nga grupe kriminale për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.
Nga ana tjetër, burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme konfirmuan për A2 se pas kapjes së dronit në Burgun e Burrelit është shtuar vëmendja dhe siguria në të gjitha burgjet e vendit.
/a.r