Fushëbeteja moderne është transformuar nga dronët në ajër dhe në detet e hapura, dhe tani, Rusia dhe Ukraina janë buzë dislokimit të një numri të madh të dronëve tokësorë në tokën ukrainase. Një video e publikuar së fundmi e shfaq shkallën deri në të cilën mjetet pa pilot po e transformojnë fushëbetejën moderne. Videoja i shfaq dy dronë rusë me telekomandë dhe të armatosur me granatahedhës, duke u shkatërruar nga dronët ajrorë ukrainas. E gjithë kjo është xhiruar nga një dron spiun që rri pezull aty pranë.
Videoja që tregon shkatërrimin e një droni nga një dron tjetër është vetëm njëra nga disa videot e publikuara në javët e fundit ku shfaqën mjetet tokësore pa pilot. Në videot e tjera shfaqet një dron tokësor duke shtënë breshri plumbash mbi pozicionet ruse, dhe një dron kamikaz me rrota duke e bartur ngadalë një mjet të madh shpërthyes nëpër fushë, para se ta shpërthejë atë nën një urë në territorin e kontrolluar nga Rusia.
Nataliia Kushnerska, kryetare e Brave1, një organizate e Qeverisë ukrainase, tha për Radion Evropa e Lirë se organizata e saj “ndër prioritetet kryesore e kishte prodhimin e robotëve tokësorë për të qenë në nivel me sistemet pa pilot”. Brave1, thotë ajo, i ka pranuar më shumë se 200 dizajnë për mjete tokësore pa pilot në platformën e saj, ndërsa deri tani i ka testuar 50 prej tyre.
Ministria ruse e Mbrojtjes: Sistemet e Mbrojtjes ajrore rrëzuan 17 dronë ukrainas në 4 rajone
LEXO EDHE:
Ministria ruse e Mbrojtjes: Sistemet e Mbrojtjes ajrore rrëzuan 17 dronë ukrainas në 4 rajone
Dronët tokësorë ishin përdorur për herë të parë në luftë gjatë pushtimit të Finlandës nga Bashkimi Sovjetik më 1939. “Teletanket” sovjetike ishin tanke tradicionale të pajisura me telekomanda. Ato kontrolloheshin nga dora e njeriut për të lëvizur dhe për ta shkrepur armën nga një largësi, pa ndihmën e pamjeve të videove moderne. Besohet se teletanket sovjetike u përdorën për herë të fundit në luftë gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1942.
Gjithashtu gjatë asaj lufte, ushtria gjermane e ndërtoi një dron tokësor kamikaz i quajtur “Goliath”. Ky dron në madhësinë e një veture mbushej me eksplozivë dhe kontrollohej përmes një teli që zvarritej mbrapa teksa Goliath shkonte drejt pozicioneve të armikut. Mijëra “dronë shkatërrues” ishin prodhuar, por ata ishin të ngadalshëm dhe ndaloheshin shumë lehtë me armë zjarri.
Prej Luftës së Dytë Botërore, ka pasur shumë tentime për ta ringjallur konceptin e dronëve tokësorë luftarakë, por suksesi ka qenë i kufizuar.
Tanku rus pa pilot, Uran-9, ishte përdorur në luftime gjatë luftës civile në Siri më 2018, por dështoi aq keq saqë një oficer theksoi se ky sistem ishte së paku një dekadë larg të qenet i gatshëm për betejë. Ky tank ende nuk është përdorur në Ukrainë.
Michael Boyle, profesor në Universitetin Rutgers dhe autor i një libri në luftën e dronëve, tha për REL-in se ka disa arsye pse ka qenë i ngadalshëm zhvillimi i dronëve tokësorë luftarakë.
“Arsyeja e parë është terreni”, tha Ai.
“Derisa dronët ajrorë mund të fluturojnë lirshëm si zogjtë dhe dronët detarë gjithashtu lëvizin përmes një elementi relativisht të pakufizuar, dronët tokësorë “duhet të jenë në gjendje të lëvizin me shpejtësi nëpër sipërfaqe jo të rrafshëta dhe nën zjarrin e luftimeve për t’i kryer detyrat”, tha Boyle.
Pengesat, të thjeshta si një gropë, apo grumbuj teli me gjemba, të cilat mund t’i kapërcejë me lehtësi një ushtar, paraqesin pengesë të pakalueshme për shumë dronë tokësorë. Një faktor tjetër i rëndësishëm është çmimi.
“Zhvillimi i një mjeti tokësor që mund të veprojë në terrene jo të rrafshëta dhe të largëta, dhe të jetë i përdorshëm nga njësitet e tjera ushtarake, kushton shtrenjtë”, tha Boyle.
Derisa dronët ajrorë kamikazë që kushtojnë disa qindra dollarë dërgohen në misione njëdrejtimëshe, dronët e mëdhenj tokësorë që janë mjaftueshëm të zhvilluar për të lëvizur në fushëbeteja me terren me vrima “nuk mund të përdoren në mënyrën e njëjtë në përgjithësi”, sipas Boyle.
Eksperti i dronëve shtoi se “infrastruktura e komunikimit me [dronët tokësorë] duhet të jetë në veçanti e sigurt, së paku tani për tani kur janë kaq të shtrenjtë”.
Kushnerska thotë se dizajni më premtues i dronëve tokësorë që Brave1 po e teston tani është një mjet i dizajnuar për të transportuar të plagosur nga fushëbeteja.
“Komunikimet me ushtrinë na kanë treguar se mbrojtësit i pësojnë shumë humbje gjatë bartjes së të plagosurve”, tha ajo.
Ajo thotë se një mjet i kontrolluar nga larg apo në mënyrë autonome, mund ta zërë vendin e tre deri në gjashtë ushtarëve të nevojshëm për ta bartur nga vija e frontit një ushtar të plagosur.
“Deri në fund të vitit 2024, ne presim që ky [mjet tokësor pa pilot] të jetë pjesë sistematike e veprimeve të ushtrisë sonë”, parashikoi ajo./REL