Dronë që transportojnë dronë dhe një avion për të rivalizuar amerikanët, Kina “tregon forcën” në panair

Kina ka impresionuar botën me prezantimin e teknologjisë së saj ushtarake më të fundit gjatë Panairit të Mjeteve Fluturuese në Zhuhai, ngjarja më e madhe e këtij lloji në vend, shkruan A2 CNN. Kjo ekspozitë ofron një dritare të rrallë për të parë fuqinë industriale dhe ushtarake të këtij shteti, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe ekspertët ushtarakë.

Panairi i këtij viti, që tërhoqi rreth 600 000 vizitorë dhe nga ku u porositën mjete dhe pajisje me vlerë 280 miliardë juanë (39 miliardë dollarë), nxori në pah një gamë të gjerë sistemesh të reja armësh. Në qendër të vëmendjes ishte avioni i ri stealth J-35A, i cili përfaqëson përpjekjet e Kinës për të rivalizuar fuqinë ajrore të SHBA-së. Ky avion, i pajisur me dy motorë dhe kapacitet për misione të ndryshme, u cilësua si një “përparim” për brezin e ri të avionëve kinezë.

Një tjetër prezantim mbresëlënës ishte sistemi HQ-19, një raketë anti-balistike e aftë të kapë hipersonikët. Kjo teknologji e përparuar, sipas ekspertëve kinezë, adreson sfidat komplekse të interceptimit me saktësi të lartë.

Në sektorin e dronëve, Kina prezantoi “Jetank”, një dron gjigant që mund të transportojë dronë të tjerë, duke ofruar një koncept të ri të operacioneve ajrore. Po ashtu, anija “Orca”, që vepron pa pasur nevojë për kapiten apo detarë, shfaqi aftësitë e saj për misione autonome dhe me rreze të gjatë.

Një nga arritjet e tjera ishte raketa ajër-ajër PL-15E, e dizajnuar për t’u përshtatur me avionët stealth dhe me performancë të ngjashme me AIM-120 të SHBA-së.

Ekspozita përfshinte gjithashtu Su-57 të Rusisë, që theksoi bashkëpunimin e ngushtë ushtarak mes dy vendeve, duke dërguar një mesazh të qartë për fuqitë perëndimore.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com