Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, rinisi këtë të mërkurë punën, me miratimin e listës së dëshmitarëve, që do të thirren nga e hëna e ardhshme.
Me votat pro të mazhorancës dhe opozitës, u vendos që në komision të thirren ish-drejtorët e QSUT-së, drejtoresha aktuale e QSUT-së, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, ish-drejtori i Spitalit të Traumës, të Spitalit Rajonal të Shkodrës, Spitalit Rajonal të Elbasanit, të Vlorës, drejtori i Maternitetit “Koço Glozheni”, anëtarët e grupit të punës së check up-it. Një sfidë e këtij komisioni është menaxhimi i kohës përballë numrit të madh të dëshmitarëve, ndaj anëtarët e mazhorancës bënë thirrje për t’u fokusuar te dëshmitarët më të rëndësishëm, që sipas tyre mund të kenë më shumë vlerë për hetimin. Edhe kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, u shpreh se, për të mos rënë në përsëritje të dëshmive, gjatë procesit, mund të vendoset për reduktimin e dëshmitarëve. Ndërkohë, edhe anëtarët e mazhorancës, dhe ata të opozitës, shprehën vullnetin për të dalë më një raport të përbashkët në fund të punës së Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, që pas zgjatjes së afatit, do të mbyllet në muajin tetor.
Albana Vokshi: Do të thërrasim ish-drejtorët e QSUT-së, drejtoresha aktuale e QSUT-së, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, ish-drejtori i Spitalit të Traumës, të Spitalit Rajonal të Shkodrës, Spitalit Rajonal të Elbasanit, të Vlorës, drejtori i Maternitetit “Koço Glozheni”, anëtarët e grupit të punës së check up-it. Janë të gjithë mjek. Dhe mjekët që kishim në listën e dëshmitarëve para se të mbyllej sesioni i kaluar, por nuk arritëm t’i thërrisnim të gjithë/. Do fillojmë nga e hëna dhe deri në fund të javës që vjen.
Petro Koçi: Unë mendoj që të piketojmë dëshmitarët më të rëndësishëm, mos të merremi me shtimin e numrit të dëshmitarëve, por të merremi me cilësinë.
Albana Vokshi: Në varësi të deklaratave të dëshmitarëve mund të rezultojë që edhe lista të jetë më e shkurtër, sepse edhe Komisioni mund të vendosë më pas që nuk do të ketë nevojë për dëshmitarë të tjerë, pasi mund të arrijnë në përsëritje. Jemi munduar të kemi një listë koncize, jo të mbingarkuar. Secili dëshmitar do marrë kohën e vetë, pasi çdo anëtarë mund të ketë pyetjet e veta për të bërë.
Plarent Ndreca: Edhe ne e diskutuam dje në mbledhje kryesie, por është e vështirë nga ana tjetër të thërrasësh njërin dhe jo tjetrin, pasi duket sikur i sheh me sy të ndryshëm. Por, mund të koordinohemi me pyetjet. Mos të bëjmë pyetje që bien në përsëritje. Do të tentojmë të kemi një koordinim, kërkojmë dhe koordinimin e palës tjetër.
Ina Zhupa: Komisioni ka një zgjatej të afatit të punimeve, pasi kishim mungesë informacioni. Por, ky komision po gjykon procedurat, kontratën dëmin, si mund të ishte zgjedhje më e mirë pa vjedhur xhepat e qytetarëve. Mjekët që nuk na japin informacionin e duhur ndoshta mund t’i shmangim. Mos të harxhojmë minuta të tëra duke i pyetur ku e mbaruar diplomën, çfarë ke bërë më parë… shpresojmë të bëjmë një punë në interes të publikut, se po gjykojmë një aferë që shkon në 420 mln euro që mund të ishin vënë shumë mirë në shërbim të qytetarëve. Këto para mubnd të ishin vënë në funksion të ilaçeve, pacientëve. Uroj që mazhoranca dhe opozita në fund të dalin me një raport të përbashkët që të pasqyrojë realitetin.
Edona Bilali: bashkohem me një pjesë të fjalës së Zhupës që të dalim me një raport. Ndërkohë, duhet sqaruar procedurat, që në të ardhmen kur të jepet ky shërbim, gjërat të jenë aq të qarta sa çdo kush të ndihet i qetë në realizimin e detyrës së tij, nga specialisti te ministri.
Xhelal Mziu: Sot ne duhet ta kishim të detajuar se kush dhe kur do të vijë. Duhet të avancojmë që të mos shkojmë prapë në afatin limit dhe të mos kemi mbaruar punë.
Albana Vokshi: Lista që sapo ju lexova është për javën që vjen, nga e hëna të premte. Janë caktuar dëshmitarët për të hënën, por jo orari i saktë, pasi p.sh. edhe Komisioni i Ligjeve ka punë pothuajse çdo ditë, pra varet nga koha që ju keni në dispozicion për këtë komision