Merr fund historia e rrëmbimit të 3 vjeçarit nga Durrësi pas të cilës ishte një dramë familjare.Të shtunën e 13 prillit, gjyshërit Rexhep dhe Bahrije Gjuni pasi kishin pritur në shtëpi djalin e vogël nuk kishin pranuar tia kthenin më të ëmës e cila ishte larguar nga banesa dhe jetonte në shtëpinë e të atit pasi bashkëshorti i saj, humbi jetën në aksident rrugor duke lënë të vetëm dy gjyshërit zemërthyer. Pas negociatave gjyshja pranoi ta dorëzonte sot të voglin në polici.
Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë. Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja Bahrije Gjuni, së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Pasi dorëzoi nipin, gjyshes i janë vënë prangat, ndërsa para grupit hetimor ka dëshmuar se vendimin për të rrëmbyer nipin e kishte marrë bashkë me bashkëshortin e saj. Sipas dëshmisë, ajo ka thënë se nipin kanë dashur që ta rrisnin vetë dhe jo familja e nuses.
“E kemi vendosur sëbashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit. Në Buzmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme”, ka dëshmuar ajo.
Kërkimet për të voglin nisën më 16 prill kur mamaja e të voglit Ile Gjuni denoncoi zhdukjen e të birit dhe rrëmbimin nga vjehrritë. Kërkime pati në Durrës, Has, aty ku ka origjinën familja Gjuni Kukës dhe Tiranë. U kontrolluan 15 banesa në zonën e Krumës. Fotoja e 3-vjeçarit u dërguan në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ndërkohë në pranga u vu gjyshi Rexhep Gjuni, 60 vjeç dhe Arben Selaj, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit. Në kërkim ështe ende vëllai tjetër i gjyshes, Flamur Selaj, 43 vjeç. Gjyshja pretendon se dy vëllezërit e saj nuk kanë ‘gisht’ në këtë ngjarje.
“Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje”, ka deklaruar gjyshja.
Dramën e rëndë familjare e rrëfeu 23-vjecarja e cila deklaroi se problemet me ish-vjehrrit kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj po në zonën e ish-kënetës, ndërsa ish-vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit, gjë që nuk iu takon me ligj. Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën e 13 prillit ata kishin refuzuar ta kthejnë fëmijën e mitur, me pretendimin se do ta rrisnin vetë dhe ishin larguar nga banesa.
/a.r