Donald Trump njoftoi largimin nga OBSH, BE reagon e shqetësuar

Komisioni Evropian është shprehur i shqetësuar nga njoftimi i presidentit amerikan, Donald Trump se SHBA-ja do të tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv në ditën e tij të parë të kthimit në Shtëpinë e Bardhë, për të filluar procesin e tërheqjes së SHBA-së nga OBSH-ja, për herë të dytë në më pak se pesë vjet, raporton AP.

“Nëse duam të jemi elastikë ndaj kërcënimeve globale të shëndetit, duhet të kemi një bashkëpunim global në fushën e shëndetësisë”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Eva Hrncirova, gjatë një konference për shtyp në Bruksel.

“Ne besojmë se administrata amerikane do t’i marrë parasysh të gjitha këto përpara tërheqjes formale”, ka shtuar ajo.

Trump ka bërë një lëvizje të ngjashme në vitin 2020, mirëpo presidenti Joe Biden e ka përmbysur atë në 2021.

Shumë shkencëtarë kanë frikë se ky veprim mund të zhbëjë përfitimet dhjetëvjeçare të bëra në luftimin e sëmundjeve infektive si SIDA, malaria dhe tuberkulozi.Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu se tërheqja nga organizata mund të dobësojë mbrojtjen e botës kundër shpërthimeve të reja të rrezikshme të afta për të shkaktuar pandemi.

“Mendoj se nuk ka shembull më të mirë se pandemia e COVID. Ne kemi marrë mësimin tonë. Kemi parë që virusi nuk ndalet në kufi dhe se ne kemi nevojë për një bashkëpunim global në fushën e shëndetësisë”, ka shtuar Hrncirova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com