Shoqata e Gazetarëve Europianë dega Shqipëri (AEJ) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kanë dënuar sulmet e Sali Berishës ndaj gazetarëve që flasin për dosjen ‘Partizani’, për të cilën është marrë në hetim ish kryeministri dhe dhëndri i tij.
Në një reagim të bërë një ditë më parë, 17 shtator, Shoqata e Gazetarëve Europianë, seksioni shqiptar, dënon sulmet duke thënë se përbëjnë intimidim ndaj medias dhe gazetarëve.
“AEJ dega Shqipëri, shpreh shqetësim të thellë për deklaratat e kryetarit të partisë Demokratike Sali Berisha bëri ndaj medias. Kërcënimi i tij ndaj çdo gazetari që do të publikojë dosjen e tij për akuzat nga SPAK për korrupsion pasiv, është shumë i rëndë dhe përbën një intimidim të pastër ndaj medias e gazetarëve.
AEJ dega Shqipëri, inkurajon të gjithë gazetarët dhe median, që të mos intimidohen, por duke respektuar kodin e etikës të ushtrojnë detyrën e tyre në shërbim të informimit të qytetarëve! Sulme të tilla tregojnë për një klimë shumë të ashpër ndaj medias dhe gazetarëve, që burojnë nga politika shqiptare!
AEJ i bën apel partisë Demokratike të tregojë kujdes dhe të respektojë median, si parime bazë të demokracisë. Për çdo sulm AEJ dega Shqipëri do të informojë të gjithë organizmat ndërkombëtare.”, thuhet në reagimin e AEJ dega Shqipëri.
Po ashtu, në një reagim një ditë më parë, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i cilëson të papranueshme sulmet e Berishës ndaj gazetarëve që raportojnë për dosjen e tij.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dëshmoi sot me keqardhje deklarata kërcënuese të bëra nga Kryetari i Partisë Demokratike z. Sali Berisha në drejtim të gazetarëve të cilët raportojnë mbi dosjen e tij hetimore. Etiketimet “Jeni të kapur nga SKAP-i Partisë” dhe shantazhet “do t’ju trajtoj si organizatë kriminale” janë të papranueshme.
AGSH i kërkon zotit Berisha të vetëpërmbahet, të ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe të lejojë që ata të raportojnë lirshëm procesin penal ndaj tij, familjarëve të tij, të lidhurit me ta, njëlloj si çdo proces tjetër.
Kjo është krejt e kundërta që ne dhe kolegët tanë presim nga një ish-kryeministër i cili duhet të luftojë për fjalën e lirë. I kujtojmë zotit Berisha se fjalët e tij kërcënuese ndaj medias janë një mesazh i keq dhe i rrezikshëm të dala nga goja e liderit të opozitës. Ne inkurajojmë kolegët tanë të vijojnë të mbulojnë me profesionalizëm çdo çështje”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.