“Do të shpërngulem në Himarë nëse fitoj bashkinë”, Vangjel Tavo: Rikthimi në PS, rikthim në shtëpi

Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo tregon se si e pranoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për të kandiduar për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 4 gushtit. Tavo deklaroi se ai do të zhvendoset në Himarë nëse fiton zgjedhjet.

Një ditë më parë, Tavo u votua unanimisht nga Kryesia e PS për të qenë ai kandidati zyrtar i socialistëve në Himarë.

“Kur emri im qarkulloi në media si kandidat në Himarë ishte thashethem. E kisha diskutuar me Ramën kandidimin në Himarë. Ndihem i nderuar që kandidoj për Bashkinë e Himarës. Jam përpjekur gjithmonë të zgjidh problemet e të ul tonet. Do shpërngulem në Himarë dhe do jem vazhdimisht në kontakt me njerëzit, do jem çdo ditë. Edhe kur isha deputet i Gjirokastrës isha 4 ditë në Gjirokastër dhe tre ditë në Tiranë. Si Prefekt i Vlorës, unë jam në Vlorë. Si kryetar bashkie do të jem çdo ditë në Himarë”, tha Tavo.

Ai foli edhe për kandidatët e mundshëm rivalë në këtë garë, duke theksuar se fokusin do ta ketë te shqetësimet e qytetarëve. “Çdo kandidat përballë meje është i mirëpritur. Por nuk do merrem me asnjërin prej tyre. Mua më shqetëson problemet që kanë qytetarët. Nuk do merrem me kandidatët e tjerë. Slogani im është “zgjidhje, jo krizë”. Nuk ka krizë, por zgjidhje të problemeve në Himarë”, tha ai. Dikur deputet dhe ministër i LSI, Vagjel Tavo sot është një socialist. “Nuk kam lëvizur në shumë parti, nga LSI në PS. Për mua është një rikthim në shtëpi”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com