“Do të luftojmë fort që ta mbajmë në Francë”, Macron refuzon t’ia ‘falë’ Romës “Emily in Paris”

Fantazi e shfrenuar, me taka që kërcasin në rrugët e kalldrëmta, të pandotura nga mbeturinat, lumin Senë që duket blu, pa të pastrehë dhe një protagoniste kaq të shkëputur nga realiteti sa media franceze i referohet si “amerikania e veshur tepër”.

Por seriali i suksesshëm i Netflix, “Emily in Paris”, pavarësisht stereotipizimit të marketingut të Çikagos solli turma turistësh në Francë, nxiti tregtinë dhe rriti kërkesat për agjentë pasurish të patundshme në kryeqytet.

Tani, nisja e sezonit të ri në Romë është kthyer në çështje politike dhe presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar se do të luftojë fort për ta mbajtur në Francë.

“Ne do të luftojmë fort. Do t’u kërkojmë të qëndrojnë në Paris! ‘Emily in Paris in Rome’ nuk ka kuptim”, tha ai për Variety.

Zonja e Parë e Francës, Brigitte shfaqet shkurtimisht në sezonin e katërt të serialit gjatë një takimi të rastësishëm në një restorant ku ajo thotë se e ndjek Emily në Instagram. Ajo përmendet edhe më herët në episodet e para të serialit. Kasti tha se 71-vjeçarja ishte “shumë e gatshme” të dilte dhe iu lejua të improvizonte e të vishte rrobat e saj.

Macron tha se ishte shumë i kënaqur për këtë dalje të gruas së tij. “Isha shumë krenar dhe ajo ishte shumë e lumtur që ta bënte. Janë thjesht disa minuta, por mendoj se ishte një moment shumë i mirë për  të. Mendoj se është mirë për imazhin e Francës. ‘Emily in Paris’ është shumë pozitiv për ta  bërë vendin më tërheqës. Sa për mua, është një iniciativë shumë e mirë”.

I pyetur nëse atij i ishte kërkuar për ta bërë një dalje në serial, u përgjigj: “Jam më pak tërheqës se Brigitte!”

Sezoni i ri i “Emily in Paris” zhvillohet në kryeqytetin italian ku protagonistja (Lily Collins) kërkon mundësi të reja pune dhe dashurinë. Kur serialit iu miratua sezoni i pestë muajin e shkuar, skenaristët thanë se ngjarjet do të shtriheshin mes Parisit e Romës.

Seriali është kritikuar në Francë pasi e tregon Parisin me shumë shkëlqim, por shifrat e shikueshmërisë kanë qenë shumë të mira. “Emily in Paris” nisi të transmetohej në mes të pandemisë në 2020 dhe vitin e shkuar u bë komedia më e famshme në Netflix. Ai renditet vazhdimisht në listën e 10 më të shikuarave në Netflix.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com