Avioni XB-1, i njohur gjerësisht si “i biri” i legjendarit Concorde, duket të jetë në rrugën e duhur për të thyer barrierën e zërit. Sipas një njoftimi nga prodhuesit e aeroplanit supersonik, XB-1 arriti 0,95 Mach në 9.880 metër lartësi në një fluturim provë që është realizuar më 19 dhjetor, duke regjistruar një rekord të ri shpejtësie dhe lartësie.
Drejtuesit e Boom Technology me bazë në Kolorado, konfirmuan se avioni ishte në gjendje të riprodhonte shpejtësi transonike prej 0.95 Mach ose 1173 km/h.
Shpejtësia 1 Mach dhe më lart është kur një avion mund të klasifikohet si supersonik.
Ndërkohë në një fluturim të kryer më 10 janar, XB-1 arriti shpejtësi gati supersonike në një lartësi maksimale prej 9.880 metër, pak më e lartë se mali Everest.
“Fluturimi i 11 arriti përsëri një shpejtësi maksimale transonike prej 0.95 Mach, më e lartë se shpejtësia e fluturimit të avionëve të sotëm. Një avion fluturon në nivel transonik kur arrin diapazonin e shpejtësisë pak më poshtë supersonikut, që është 1 Mach. 1 Mach është rreth 1234 km/h”, tha kompania në një përditësim mbi testin e kryer.
Fluturimi, i pilotuar nga kryepiloti testues Tristan Brandenburg, përfundoi kontrollet përfundimtare të trajtimit përpara fluturimit të tij të parë supersonik.
Fluturimi 44-minutësh e shtyu presionin dinamik të avionit në 383 KEAS (shpejtësi ajrore ekuivalente me nyje), e cila është më e lartë se ajo që do të përjetohet në Mach 1.1.
Me shpejtësinë supersonike, avioni XB-1 mund të fluturojë me pasagjerë nga Londra në Nju Jork për vetëm 3.5 orë, një hap i madh ky drejt revolucionarizimit të kësaj industrie, pasi fluturimi në fjalë aktualisht zgjat afërsisht 8 orë.
Nuk ka pasur asnjë avion komercial të aftë për fluturim supersonik që nga Concorde. Avionët supersonikë u ndaluan në Mbretërinë e Bashkuar më shumë se 20 vjet më parë, sepse konsideroheshin shumë të zhurmshëm. Shtetet e Bashkuara i ndaluan ato edhe më herët, në vitin 1973, sepse zhurmat ishin aq të forta sa i bënin dritaret e banesave të tundeshin.
Në nëntor, Dawn Aerospace pretendoi se avioni i tij MK-11 Aurora ishte i pari që arriti shpejtësinë supersonike që nga Concorde në një fluturim provë, duke thyer barrierën e zërit me 1.1 Mach.