Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i ftuar në studion e “News 24”, i pyetur nëse do të jetë i pranishëm në protestën e 20 shkurtit të organizuar nga opozita e bashkuar, tha se do të donte shumë të ishte prezent, por se nuk mund të jetë aty. Ai shtoi se këtë javë është i ngarkuar me aktivitete të çështjes çame dhe ndaj e ka të pamundur. Idrizi theksoi se 20 shkurti është një datë e madhe, pasi me këtë datë u shemb diktatura e Enver Hoxhës.
“Nuk mundem dot këtë herë, por jam i gatshëm të shkoj si qytetar. Unë ftoj qytetarët, që të bashkohen me kauzën çame. Çdo parti politike në Shqipëri duhet ta ketë kauzë patriotizmin dhe kauzën çame. Duhet të kemi qasje tjetër të të bërit politikë. Ne duhet t’i kthehemi një modeli që prodhon, sa i përket ekonomisë. Ushqimet në Shqipëri janë me çmime shumë të larta, disa herë edhe më të larta se në vendet e BE-së. Ne duhet t’i kthehemi një ekonomie prodhuese.
Sa i përket protestës së 20 shkurtit, kujtojmë se kjo datë ishte ajo kur u shemb perandoria e Enver Hoxhës. Por, sot nuk e kemi atë vizion që ushqyem, por ndërtuam modelin e pandëshkueshmërisë. Nuk u arrit të jepet model tjetër, përveç atij, që dikush ka gjithë pushtetin në dorë. Sinqerisht që do doja të isha në protestë, por është përkujtimorja e javës çame dhe jam totalisht i angazhuar”, tha Idrizi.
Shpëtim Idrizi theksoi se bashkimi i dy pjesëve të Partisë Demokratike është për t’u përshëndetur, por se nuk mjafton vetëm kaq. Sipas tij, opozita duhet të ketë një plan të mirfilltë, një vizion, për faktin se çfarë do të bëjë nëse vjen në pushtet.
“Bashkimi i PD-së është pozitiv, ka mbaruar lufta civile, tashmë kemi një federatë. Por është një akt i pamjaftueshëm. Opozita duhet të thotë se çfarë do të arrijë. Nuk duhet që opozita të bëhet bashkë dhe të thotë kritika, por duhet të thotë se çfarë do bëjë nëse vjen në pushtet. Ne kemi deklaruar se jemi për një zonë zgjedhore. Berisha e Bardhi duhet të thonë a janë për një zonë zgjedhore. Pjesa e dytë ka të bëjë me rikthimin e demokracisë funksionale në vend.
Ne kemi nevojë për të bërë një analizë se çfarë bëmë për 33 vjet e çfarë do të bëjmë sot. Ne përpara 33 vitesh imituam demokracinë. Sot kemi parlament jofunksional, kemi dy palë që etiketojnë njëra-tjetrën, ne duhet të sillemi në mënyrë të maturuar. Pandëshkueshmëria na çoi në këtë pikë, që jemi gjoja në ekonomi tregu. Unë mbështetem tek kauzat dhe jo tek individët”, deklaroi Idrizi./m.j