Newsbomb.al ka raportuar ekskluzivisht këtë të shtunë detaje mbi dëshminë e bashkëshortes, nënës dhe vajzës së mitur të Jetnor Zhabolit, i cili u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Tiranës, sepse e kishte kthyer shtëpinë në burg për vajzën dhe dy gratë e tjera.
Për shkak të dyshimeve dhe deluzioneve të tij, 35 vjeçari kishte vendosura kamera gjithandej në shtëpi, një bllokues valësh dhe nuk lejonte bashkëshorten të dilte nga shtëpia.
Në dëshminë zyrtare që redaksia e ka siguruar, nëna e Jetnorit tregon se i biri ishte i sëmurë dhe i dukej sikur dëgjonte zhurma. Madje, për këtë e ëma dhe bashkëshorti kishin “inspektuar” vetë shtëpinë por nuk kishin gjetur gjë.
Për të bindur dhe më tepër të birin, një grup ekspertësh profesionistë kanë skanuar të gjithë apartamentin në zonën e Selitës së vjetër, pas dyshimeve për zhurma apo përgjime, por sërish nuk ka rezultuar asgjë e tillë. Edhe vetë vajza e mitur thotë se babai pretendon për zhurma, por ata nuk dëgjojnë gjë.
Newsbomb.al sjell më poshtë një pjesë nga letra që bashkëshortja e Jetnor Zhabolit kishte shkruar, duke menduar t’i jepte fund jetës.
Në porcesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, evidentohet se nga kontrolli apartamentit, në dhomën e gjumit është gjetur një valixhe e cila është hapur me kod nga 35 vjeçari. Në të janë gjetur disa letra me shkrime dorë, të cilat theksohet se kishin përmbajtje të forta emocionale.
Pikërisht, përmbajtjen e një prej këtyre letrave newsbomb.al e sjell më poshtë:
“Më fal **** dhe **** s’mund të shkruaj shumë. Babi, nëna, gjyshi, halla, daja do t’ju flasin shumë për mamin. Do ju dua shumë edhe pse po ju lë. Bedri, Gela, Baci më falni por kurrë mos ndjeni turp për mua, s’ju turpërova kurrë.
Mami, babai, Tina faleminderit për gjithçka. Nori të dua shumë. Ky ishte gabimi im. Ju dua shumë nëse më doni dhe ju amanet fëmijët dhe duheni shumë njëri-tjetrin të gjithë. Asnji nuk ka faj për fundin tim, nuk e përballoj dot këtë stres”, shkruhej në letrën që gruaja e 35 vjeçarit kishte shkruar.
Gjetja e kësaj letre në valixhen e Jetnor Zhabolit ka komplikuar dhe më tepër pozitat e tij me autoritetet.
Përmbajtja e saj është bërë shkak që Prokuroria e Tiranës të ngrejë ndaj tij veç akuzës “Dhunë në familje” dhe akuzën tjetër për “Shkaktim të vetëvrasjes i mbetur në tentativë”. Gruaja e 35 vjeçarit ka tentuar t’i japë fund jetës dhe ky është një dokument sipas autoriteteve, që e provon./m.j