Do helmonte ekuipazhin dhe do dezertonte, Rusia ndal planin e pilotit për t’i rrëmbyer helikopterin

Shërbimet ruse të sigurisë njoftuan sot se kanë ndalur me sukses një përpjekje të forcave ukrainase për të rrëmbyer një helikopter të luftës elektronike duke rekrutuar një pilot.

“Agjentët e shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase u përpoqën të rekrutonin një pilot ushtarak rus për të rrëmbyer helikopterin dhe për ta futur atë në një zonë të kontrolluar nga forcat e armatosura ukrainase. Ishte një helikopter i luftës elektronike Mi-8MTPR-1 i Forcave Ajrore Ruse”, tha FSB në një deklaratë.

Shërbimet ruse të sigurisë nuk e specifikuan se kur ndodhi saktësisht incidenti, por sqaruan imegjithatë se informacioni i marrë gjatë operacionit lejoi forcat e armatosura ruse të godasin pozicionet ukrainase.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, duke cituar FSB, tha se pilotit të kontaktuar nga shërbimet speciale të Kievit iu kërkua të helmonte pjesën tjetër të ekuipazhit dhe më pas ta çonte helikopterin në anën tjetër të frontit dhe t’ua dorëzonte ukrainasve.

Ky nuk është incidenti i vetëm i këtij lloji, pasi në korrik, FSB njoftoi se kishte penguar një operacion të ngjashëm që asokohe përfshinte një bombardues strategjik. Rrëmbimi asokohe do të kryhej po me bashkëpunimin e një piloti ushtarak rus, i cili dyshohet se kërkoi “para dhe nënshtetësi italiane” në këmbim.

Sakaq, në verën e vitit 2023, Ukraina ia doli të rekrutonte një pilot helikopteri ushtarak rus, Maxim Kuzminov , i cili kundërshtoi luftën.

Piloti dezertoi teksa ishte në kabinën e helikopterit Mi-8 dhe e futi atë në territorin e kontrolluar nga ukrainasit. Ky dezertor u gjet i vdekur në Spanjë në fillim të vitit 2024.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com